WebLajm mëson se Princ Leka ka bërë denoncim pranë komisariatit numër 1 në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur pasditën e djeshme ndërsa Princi ka kërkuar urdhër mbrojtie nga policia.
“Rreth orës 15:20 kam qenë në banesën time në rrugën “Murat Toptani” rezidenca e familjes mbretërore, për të takuar vajzën time të moshës 3 vjeç, pasi me ish-bashkëshorten Elia Zogu, jemi në proces divorci. Unë fillimisht jam takuar me shefin e administratës së Oborrit, të cilin e kam pyetur në lidhje me një dollap që ishte boshatisur në kundërshtim me marrëveshjen. Më pas i kam kërkuar administratorit që të më shoqëronte deri tek vajza ime për ta takuar, për të cilën me një marrëveshje për zgjidhje martese kemi rënë dakord me ish bashkëshorten. Unë jam ngjitur me administratorin edhe kam gjetur vajzën time të vogël e cila ka qenë në shoqërinë e gjyshit të saj, babait të ish-bashkëshortes, Gjergj Zaharia. Në këtë moment unë kam përqafuar vajzën time edhe Gjergj Zaharia ka filluar me fjalë fyese e kërcënuese në drejtimin tim duke më thënë ti duhet të ndërrosh rrugën kur të më shikosh mua. Reagimi im para kësaj situate ka qenë duke iu drejtuar Gjergjit që të mos ofendojë e kërcënojë sidomos në prani të vajzës dhe i kam kërkuar që ai të largohet nga dhoma ku unë po qëndroja me vajzën. Në këtë moment situata ka agravuar, Gjergj Zaharia më është afruar duke më shtyrë e goditur me shkelma tek këmbët e mia. Reagimi im ka qenë vetëm mbrojtës, por Gjergji ka vazhduar duke më goditur dhe më ka grisur xhupin si dhe ka marrë edhe një statujë druri”.
Deklarimi Princ Lekës para hetuesve
WebLajm ju kërkon ndjes, por videon e plotë vendosëm ta heqim nga transmetimi duke e vlersuar një video të rëndë të përhapjes së dhunës.
Publikimi i Pamjeve në media, reagon policia:
Në lidhje me një reagim të bërë nga Oborri Mbretëror, ditën e sotme, ju informojmë se:
Nga ana jonë në lidhje me rastin janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme procedurale, janë sekuestruar pamjet filmike, të cilat i janë përcjellë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Po kështu deklarojmë që kjo video nuk ka dalë nga strukturat e Policisë.