Shqipëria prej disa ditësh përfaqësohet në panairin e turizmit në Berlin, për të thithur sa më shumë turistë për këtë sezon turistik.
Në këtë panair nuk munguan as vlerësimet për Shqipërinë. E konkretisht për Bashkinë e Belshit, që fitoi çmimin e dytë nga 100 vende si destinacion i turizmit të gjelbër.
Përgëzimet për çmimin e fituar nga Belshi si destinacion i gjelbër nuk i kurse as Kryeministri Edi Rama.
“Belshi i Rilindur nga ferrat e plehrat ku e gjetëm kur morëm detyrën, fitoi dje Çmimin e Dytë si destinacion i Turizmit të Gjelbër, mes 100 vendeve të përzgjedhura nga e gjithë bota, në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin. Një super bravo kryetarit të bashkisë Arif Tafani, ekipit simpatik të Bashkisë Belsh, sipërmarrësve të vegjël të Belshit që me investimet e tyre në hoteleri e shërbime po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë, si edhe komunitetit të mirë e mikpritës belshiot”, ka shkruar Kryeministri Edi Rama në Facebook.
Për vitin 2023 Shqipëria shënoi rekord për numrin e turistëve duke tejkaluar 10 milionë të tillë.