Snajpera, pistoleta të kalibrave të ndryshëm, targa, dylbi, silenciatorë, fishekë e tritol plastik janë zbuluar në një bazë armatimi në Vlorë gjatë një operacioni ditën e sotme nga Policia e Vlorës dhe RENEA.
Gjatë operacionit të RENEA-s u arrestua Luçiano Deraj, i cili u gjet brenda shtëpisë në Babicë të Vlorës që shërbente si bazë armatimi e grupeve kriminale. Snajper, pistoleta, fishekë të kalibrave të ndryshëm, armë e kalibrit 12 mm, mina të përshtatura me celular, 7 kallëpe lëndë eksplozivi plastik, silenciatorë, 4 dylbi optike, 2 palë dylbi optike vëzhgimi, kuti plastike me 200 fishekë 9 mm, radiomarrëse me valët e Drejtorisë së Policisë Vlorë, targa makinash, maska etj janë sekuestruar nga policia. Këto dyshohet se janë përdorur në ngjarje kriminale dhe për këtë arsye do t’i nënshtrohen ekspertizës. Policia dyshon se i arrestuari u shërbente grupeve kriminale.