Tre persona nga Korça janë vënë nën pranga teksa tentuan të trafikonin drejt Greqisë një sasi kanabisi prej 51 kg. I gjithë aksioni për arrestimin e tyre është filmuar nga policia, që i mbante nën vëzhgim deri kur shkuan në doganën e Kapshticës.
Sapo arritën në vijën e kontrollit kufitar të palës shqiptare, agjentët anti-drogë mësynë drejt fuoristradës Audi Q7 duke arrestuar 3 personat që ndodheshin në mjet; J. S. 42 vjeç, E. M. 28 vjeç dhe S. S. 24 vjeç.
Kanabisi i ndarë në disa pako ishte në pjesën e shasisë të automjetit, në një vend të përshtatur. Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në një fabrikë riciklimi për vajrat e automjeteve, në pronësi të shtetasit J. S., u gjet 1 armë zjarri pistoletë tip “Zastava”. Së bashku me sasinë e lëndës narkotike dhe armën e zjarrit, u sekuestruan 6 celularë dhe 5 automjete.
Nga hetimet e kryera dyshohet se bashkëpunëtorë të 42-vjeçarit, në këtë veprimtari kriminale ishin edhe dy shtetasit e tjerë E. M., dhe S. S.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.