Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, gra sipërmarrëse të Tiranës zgjodhën të kontribuojnë për qytetin duke mbjellë pemë, si një mënyrë për të përçuar mesazhin e rëndësishëm se shtimi i gjelbërimit jo vetëm përmirëson cilësinë e jetës, por siguron një mjedis të qëndrueshëm edhe për fëmijët.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa u uroi gëzuar 8 Marsin, shprehu mirënjohjen për zonjat dhe zonjushat sipërmarrëse të kryeqytetit, që zgjodhën ta festojnë ndryshe këtë festë.
“8 Marsi është një kujtesë se beteja nuk ka mbaruar, mund të jenë fituar disa beteja të vogla, por beteja e madhe, ajo për emancipimin, vazhdon përditë. Sot e vlerësoj jashtë mase faktin që na u bashkuat me mbjelljen e pemëve, si një mënyrë për të lënë një shenjë në qytet, dhe e vlerësoj faktin që janë të gjitha vajza dhe gra sipërmarrëse në një vend të vështirë për sipërmarrjen, sidomos kur je grua dhe kur nuk ke mbështetjen e muskujve dhe të atij të fortit nga pas. Por, kjo nuk është më Shqipëria e viteve ’90-të, ka ndryshuar, dhe me gjithë vështirësitë, fakti që sot kemi goca dhe gra sipërmarrëse, që ia dalin me sukses në një ambient “maço”, është emancipim dhe inkurajim i jashtëzakonshëm për vajzat që shohin tek secila prej jush dikë që ia ka dalë me sukses”, tha Veliaj.
Mandej, kryebashkiaku tha se nëse çdokush kontribuon me mënyrën e tij, qyteti do të bëhet më i mirë.
“Gjërat janë shumë më ndryshe seç kanë qenë, por s’jemi ende aty ku duhet. Nëse kjo përpjekje bëhet e përditshme dhe jo vetëm një herë në vit, atëherë vërtet mund të shohim arritje më të mëdha, jo vetëm në emancipim, në përfaqësimin politik apo biznes, por në problemet më të mëdha si dhuna, që është kaq prezente. Ne më shumë sesa të apelojmë për emancipimin e grave dhe vajzave, duhet të apelojmë për emancipimin e burrave dhe çunave. Ky është një moment për të reflektuar se çfarë burrash dhe djemsh rriten në këtë shoqëri. Ne nuk duhet ta kultivojmë dhunën, as ta inkurajojmë atë, por ky edukim duhet të fillojë që në moshë të vogël. Ndaj këtë detyrë e kemi të përbashkët, duke nisur nga institucionet që drejtojmë, si shkollat, kopshtet, çerdhet, ku një pjesë e madhe e fokusit është jo vetëm për të ushqyer stomakun, por për të ushqyer zemrën dhe mendtë, mentalitetin e ri që duam të promovojmë në qytet”, u shpreh ai.
Sipërmarrësja Ori Kuçi tha se nisma të tilla si mbjellja e pemëve dhe shtimi i gjelbërimit në qytet, është një shembull që duhet ta marrin të gjitha bashkitë e vendit.