Për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike, Kapiteneria ka ndaluar daljen në det për mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit. Situata e përkeqësuar e motit do të jetë në datat 9, 10 dhe 11 Mars, me dallgë që do të shkojnë nga 2.5 deri në 4 metra lartësi.
Për këtë arsye, ndalohet dhënia e lejeve gjatë këtyre datave duke filluar nga ora 17:00 e ditës së sotme për të gjitha mjetet e vogla lundruese, anijeve të peshkimit që operojnë përgjatë bregdetit shqiptar.
Anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjer dhe automjete në linjën Durrës-Bari-Durrës dhe Vlorë-Brindisi-Vlorë, ditën e shtunë do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
Trageti i linjës Durrës-Ankona-Durrës do të operojë normalisht ditën e dielë. Të dielën do të ndalohet lëvizja e anijeve pasagjere në linjat ndërkombëtare Durrës-Bari-Durrës dhe Vlorë-Brindisi-Vlorë. Në lidhje me linjën Sarandë-Korfuz-Sarandë do të njoftohet ditët në vijim.
Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë pas orës 22:00 të 11 Marsit.