Ministri i Brendshëm Taulant Balla u ka bërë thirrje kryetarëve të bashkive që vendet e punës së shërbimit zjarrfikës mos t’i përdorin për të bërë qoka punësimi.
Balla mori pjesë sot në ceremoninë e dorëzimit të automjeteve të reja zjarrfikëse për Bashkitë e Lezhës, Fierit dhe Pogradecit, ku krahas premtimit për të shtuar burimet njerëzore dhe modernizimin e mjeteve të punës, ministri i Brendshëm e pa të udhës të bënte një apel se shërbimi zjarrfikës do të ngrihet në një nivel tjetër dhe nuk mund të përdoret për favore punësimi.
“Kryetarët e bashkive e kuptojnë tashmë që vendi i punës së punonjësit zjarrfikës nuk është një vend për të bërë qokë, ku është dikush që të vjen çdo ditë te dera e bashkisë dhe të kërkon një vend pune. Gjejini një vend pune tjetër por nuk është vendi i punës së punonjësit të shërbimit zjarrfikës dhe të shpëtimit një vend për t’i bërë një nder, se duke u përpjekur t’i bësh nder mund t’i bësh qeder atij, mund t’i bësh edhe kolegëve të tij”, u shpreh ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Automjetet e reja zjarrfikëse për 3 bashkitë e sipërpërmendura janë financuar nga Qeveria e Polonisë përmes projektit PNUD.