Prokuroria e Tiranës ka dërguar letërporosi në Itali, për të kryer një ekspertizë mjekoligjore, në mënyrë që të përcaktohet shkaku i vdekjes së 3-vjeçarit Brian Spahiu në një klinikë dentare në Tiranë. WebLajm mëson ekskluzivisht se pala italiane ka pranuar tashmë kërkesën dhe pritet të jap një përgjigje.
Organi i akuzës ka dërguar mostrat e përftuara nga mjekësia ligjore shqiptare, 5 muaj pas ngjarjes së shënuar në klinikën dentare të mjekut Roland Xhaxho.
3-vjeçari Brian Spahiu ndërroi jetë ne reanimacionin e Pediatrisë më datë 1 tetor, tre ditë pas një mjekimi që kreu në 14 dhëmbë në një klinikë dentare në kryeqytet.
Rreth një javë pas kësaj ngjarje, Prokuroria e Tiranës nisi hetimet nën akuzën ‘neglizhencë në trajtimin mjekësor’, ku më pas u shpreh se akti i parë i ekspertizës ishte i paplotë , konkluzioni ishte i pasaktë dhe se mungojnë ekspertët e fushës për të dhënë përgjigje për të gjitha pyetjet.
Më vonë u zbardh ekspertiza mjekoligjore, ku rezultoi se shkak për vdekjen fatale të 3 vjecarit u bë anestezia, e vendosur nga mjekët Roland Xhaxho dhe vajza e tij Ina Xhaxho.
Ekspertiza gjeti plagë të jashtme dhe të brendshme në trupin e viktimës, përkatësisht, u konstatua një mbetje plagë kirurgjikale në lekurën e gjoksit, ‘si edhe shenja shpimesh mjekësore me ekimoza përreth tyre në lekurën e ballit, gjoksit, barkut dhe gjymtyreve.
Familjarët e Brianit akuzojnë mjekun Roland Xhaxho dhe të bijën për neglizhim mjekimi ndaj fëmijës së tyre, duke i dhënë sasi të tepërt narkoze, çka sipas mjekëve shkaktoi helmimin e mëlçisë së 3 vjecarit, me pasojë vdekjen e tij.