Në një takim pe aktorë të shoqërisë civile kreu i SPAK ka bërë publik se krimi i vendosur në lupën e këtij institucioni, ka guxuar të kërcënojë prokurorët për ti trembur e ndalur ata në misionin që kanë. z.Dumani sqaroi për të pranishmit se asgjë si ndal ata dhe janë të vetëdijshëm për të tilla rrisqe e janë imun ndaj krimit, politikës e çdo ndërhyrje. I pranishëm në këtë takim ishte edhe kreu i kontrollit të lartë të shtetit z.Arben Shehu i cili vlersoi SPAK si institucionin e rikthimit të shpresës tek qytetarët, duke kërkuar nga të pranishmit që të evidentojnë çdo tentativë për ndërhyrje në pavarsinë e këtij Institucioni.
WebLajm mëson se masat e sigurisë fizike ndaj Prokurorëve janë shtuar, ndërsa familja e kërcënuar është rasti i dytë pas asaj të prokurores Dolorez Musabelliu që krimi e kishte survejuar dhe ndjekur për ta vrarë atë ose familjarët e saj.
Fjala e z.Altin Dumani drejtues i Prokurorisë së Posaçme
“Krimi i organizuar kërcënon SPAK. Më shqetëson kërcënimi nga krimi i organizuar , jo kërcënimi nga politika. Ne kemi bërë llogari edhe që mos kthehemi , sepse kjo është detyra jonë të hetojmë. Prokurorët janë imunë, janë të gjithë të përgatitur që t’i përballojnë këto situata. Në fund të fundit e kemi zgjedhur vetë këtë detyre”, tha Altin Dumani gjatë takimit të parë të nismës më të re të dialogut mes institucioneve dhe aktorëve të politikëbërjes, “IDM Morning Briefing”.
Kallëzimet e munguara
“Ka një rënie prej 40 për qind të kallëzimeve nga institucionet. Tatimet zero kallëzime, doganat zero. A ka apo jo korrupsion aty?! Vetëm KLSH herë pas here depoziton kallëzime në Prokurorinë e Posaçme, patjetër Policia e Shtetit që po…, por detyra e çdo institucioni është të luftojë korrupsionin. Gjatë 2023 kemi regjistruar kallëzime sa për tre vite se bashku, duke qenë të vëmendshëm ndaj raportimeve ne media, kryejmë verifikimet tona dhe nga denoncimet që bëjnë politikanë të ndryshëm në media kemi regjistruar rreth 67 procedime dhe ju përkasin korrupsionit, abuzimit me prokurorimet. Për të qenë të ndërgjegjshëm duhet të bëjmë të gjithë, por ne nuk jemi shkopi magjik që të kontrollojmë çdo gjë. Çdo institucion ka bilbilfryrës, audite, mekanizma dhe nuk referojnë.
Krimi dhe Media
“Ne e vlerësojmë median si një partner të rëndësishëm. Jemi të kujdesshëm ndaj atyre çështjeve që quhen skandale. Shumë hetime kanë marrë shkas nga mediat. Duhet të kemi parasysh që në realitetin shqiptar media nuk është imune nga krimi i organizuar. Edhe media si çdo gjë tjetër në këtë vend nuk ështe imun. Detyrimi i SPAK është që edhe gazetarët që mund të abuzojnë me detyrën e tyre të verifikinohen. Ne e kemi detyrim ligjor për të kontribuar në mbrojtjen e sigurisë publike dhe kombëtare. Patjetër në respektim të ligjit”, shtoi kreu i SPAK.
Objektivat e SPAK
‘Shpresojmë që gjykatat të japin vendime fajësie për akuza të ngarkuara nga ana jonë. Ne kemi patjetër rezultate të suksesshme dhe ky është synimi ynë. Për pesë vitet e ardhshme duhet të besojmë që kemi një institucion të konsoliduar me hetime dhe vendime ndaj të gjitha niveleve. Është e vështirë, por jo e pamundur, por qoftë dhe këto rezultate na stimulojnë dhe na nxisin që të punojmë akoma më shumë’ u shpreh Dumani.
Statusi i Prokurorit të Posaçëm
“Ju e dini që mandati është nëntë vjet dhe pas kësaj nuk dihet ku do vejë. Mendoj që kjo është e padrejtë sepse prokurori duhet të shkojë atje ku ka qenë, dhe nga maja e karrierës ta dërgosh prokurorin e Posaçëm në prokuroritë e juridiksionit të zakonshëm në Shkodër apo nga vijnë kolegët e mi të nderuar, shkakton mungesën e sigurisë”
Dëmi më i madh është institucional, dhe nëse kjo trupë për të cilën është investuar kaq shumë është shumë e vështirë të mbushësh vakumin. Për më tepër janë nëntë prokurorë që ikin njëherësh dhe kjo situatë nuk është zgjidhur shpresojmë të zgjidhet. Kemi mungesë të këshilltarëve ligjorë, sepse prokurorët e SPAK përfaqësojnë akuzën në të treja shkallët e gjykimit.
Problematikë tjetër është Vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve të posaçëm. Drejtuesi i SPAK merr dhe përfaqëson në KPA gjithë barrën për Vettingun. Është nominativë. Pritshmëria është rreth 150 seanca që duhet t’i përfaqësojë drejtuesi i SPAK” tha Dumani.
Fjala e Kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit z.Arben Shehu
“Prokuroria Speciale është sot struktura hetimore elite e shtetit shqiptar. Ajo është produkt i punës së institucioneve shqiptare nën mbështetjen e madhe të institucuineve ndërkombëtare dhe partnerëve të shtetit shqiptar. Përgjatë kësaj periudhe ajo ka arritur që jo vetëm të përballojë nevojat e shoqërisë shqiptare por jam i sigurt se ka justifikuar e rritur besimin dhe të institutcionet ndërkombëtare. Stafi i prokurorëve të drejtuar nga z Altin Dumani vjen si pjesë e një rrugëtimi prej vitesh në sistemin e drejtësisë. Eksperienca e tyre së bashku me nivelin e lartë profesional është bërë një produkt i vërtetë besimi për shoqërinë shqiptare. Të gjithë kemi parasysh rezultatet e deritanishme të cilat kanë bërë që Spak të kthehet në një adresë shprese për individët dhe institicionet në përgjithësi. Të nderuar pjesëmarrës . Unë mendoj se një faktor që ka ndikuar shumë në këtë proçes është dhe pavarësia e kësaj strukture. Pavarësia është e panegociushme!! Ju ftoj që të jemi të vëmendshëm për të evidentuar çdo tendencë për monitorim apo më keq të rritjes së kontrollit. Në këtë drejtim media shqiptare ka luajtur e po luan një rol tepër të rëndësishëm. Pavarësia e institucioneve është garanci për demokracinë dhe jetën e qytetarëve. Të nderuar pjesëmarrës. Ju ftoj që të jeni aktivë për të vlerësuar e ruajtur në këtë nivel pavarësinë e këtij institucioni aset të shtetit shqiptar, duke qenë i sigurt se po i shërben dhe do ti shërbejë ruajtjes së garancive të çdo qytetari”. tha Shehu.