Emisioni Fact Check siguron pamjet e atentatit me armë në fshatin Grudë e Re në Shkodër 3 ditë më parë, ku mbetën të plagosur 2 kunetërit, fatmirësisht jashtë rrezikut.
I gjithë atentati ka zgjatur 53 sekonda. Në pamjet e siguruara shihen dy të plagosurit që dalin nga automjeti i tyre.
Në orën 19:16 nisi sulmi me breshëri arme, ku u përdorën 3 kallashnikovë.
Gjergj Ndërshtiqaj dhe Gjin Nika fshihen tek automjeti i tyre. Teksa breshëria vazhdonte me intensitet, njëri nga të plagosurit shkon në pjesën e pasme për t’u shpëtuar plumbave.
Në orën 19:17 minuta e 33 sekonda, për shkak të të shtënave me breshëri, automjeti i viktimave shpërthen në flakë.
Autorët i vendosën flakën edhe automjetit të tyre pak metra më larg.
Dy kunetërit Gjergj Ndërshtiqaj student në Akademinë e Sigurisë dhe Gjin Nika mbetën të plagosur dhe u dërguan në spital. Hetuesit dyshojnë se shënjestër ka qenë Gjin Nika.