Për t’i shpëtuar hetimin dhe zbulimit nga policia, krimi në Durrës ka gjetur si strehë shtëpinë e një poeti për të fshehur armatim. Ndërsa në një tjetër rast hetuesit zbuluan se si një vilë ende e papërfunduar katër katëshe shërbente si supermarket për shitjen e armëve luftarake.
Durrësi vazhdon të mbetet një tjetër qark ku prania e grupeve kriminale është aktive, por s’ka munguar dhe hetimi parandalues dhe zbulues i policisë në këtë qark. Në kuadër të operacionit kombëtar “Sundimi i Ligjit” “blutë” e Durrësit organizuan aksionin “Hill” duke zbuluar në një vilë ende të papërfunduar armatim luftarak AK-47.
Këto janë pamjet se si kjo bazë dhe të dyshuarit janë monitoruar me dron në çdo lëvizje të tyre, ndërsa pasi kanë pikasur policinë kanë tentuar të largohen me vrap. Në pranga për këtë bazë u vunë dy shtetas, përkatësisht Hekuran Troplini 20 vjeç dhe Emiljano Pasho 19 vjeç. Emisioni FactCheck ka mundur të sigurojë edhe fotot e dy të arrestuarve të cilët kishin kthyer banesën 4-katëshe në depo armatimi.
Por si u arrit të lokalizohej kjo bazë në Shkallnur të Durrësit?
Grupi hetimor sqaroi për emisionin FactCheck se gjithçka është tashmë e dokumentuar me prova ligjore dhe agjentët e infiltruar të policisë kanë arritur të vendosin kontakte ndërsa nga ana tjetër çmimi për një armë varionte nga 800 në 1000 euro. Provat materiale të sekuestruara po i nënshtrohen ekzaminimeve në laboratorin e policisë shkencore pasi dyshet të jenë përdorur në ngjarje kriminale dhe atentate.
Armatimi dhe Provat e Sekuestruara
4 armë zjarri kallashnikovë me 20 krehra,
qindra fishekë luftarak,
1 motomjet që shërbente për të lëvizur dhe transportuar
armët e municionin, me qëllim shitjen,
63.700 lekë
Një sasi lënde narkotike e dyshuar cannabis sativa
Pa kaluar 72 orë nga Operacioni i Shkallnur, Policia e Durrësit trokiti në banesën e shkrimtarit dhe poetit Adem Salillarit në Sukth të Durrësit.
Në mobilet antike “Sunduk” të cilat dikur përdoreshin për mbajtjen e rrobave, policia gjeti aty arsenalin e armëve si kallashnikovë, granata, dylbi snajperi, krehër arme dhe mijëra fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Emisioni FactCheck sjell për herë të parë foton e shkrimtarit të arrestuar për të cilin është caktuar edhe masa e sigurisë.
Ai është Salillari dhe rezulton se ka botuar disa libra të cilat janë pjesë edhe e aktivitetet me shkollat 9 vjeçare të qarkut Durrës.
Marrë nga “FactCheck”