Për herë të parë duke shkelur çdo zyrë të 18 hetuesve të SPAK, Ndihmës Sekretari i Shtetit Todd Robinson ka qendruar për afro dy orë në prokurorinë e posaçme.
Robinson është i fokusuar në çështjet e Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe zbatimit të Ligjit, fusha këto të cilat po ashtu janë kompetencë e SPAK.
WebLajm mëson se z.Robinson ka kërkaur intensifikim të luftës ndaj këtyre fenomeneve, ndërsa për herë të parë publikisht është përcjell edhe një imazh nga zyrat e hetuesve të SPAK.
Ka qenë si Ambasada e SHBA dhe vetë SPAK që ka lejuar fotografimin e zyrave, ku ajo që bie në sy: është thujase në çdo zyrë një mal me dosje.












Edhe pse zyrtarisht nuk ka një konfirmim se çfarë dosjesh ato janë. Në kompetencën e SPAK janë dosje si korrupsioni, krimi organizuar, trafiku i drogës dhe shkelja e ligjit nga zyrtarët e lartë.






Njoftimi i Ambasadës së SHBA
Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson, u takua sot me shefin e SPAK-ut, Altin Dumani, për të riafirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të përkushtuara për të mbështetur udhëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE përmes sundimit më të fortë të ligjit dhe rritjes së transparencës gjyqësore.
Njoftimi i SPAK
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, zoti Altin Dumani, sot më datë 19.03.2024, në ambjentet e SPAK, priti zotin Todd D. Robinson, Ndihmës Sekretarin e Departamentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zyrës Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit. Në takim morën pjesë gjithashtu edhe zonja Aida Hajnaj, Drejtori i Byrosë Kombëtare të Hetimit, zoti John C. Kastning, Drejtori i Byrosë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, si dhe përfaqësues nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (OPDAT).Gjatë takimit, zoti Dumani, bëri një prezantim të veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme, dhe treguesve të këtij institucioni mbi hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa zonja Hajnaj u ndal tek funksionimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, dhe procesi i rivlerësimit të hetuesve të kësaj strukture.Ndër të tjera, zoti Dumani falenderoi zotin Robinson për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ofruar SPAK, duke filluar që nga themelimi i kësaj Strukture dhe në vijimësi në procesin e konsolidimit dhe specializimit të saj. Zoti Dumani nënvizoi rolin e rëndësishëm dhe thelbësor që ekspertët e misioneve të asistencës dhe përfaqësuesve të agjencive ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kanë luajtur jo vetëm në zhvillimin e SPAK, por dhe në ndihmën e dhënë në bashkëpunimin ndërkombëtar me agjencitë ligjzbatuese partnere.Nga ana tjetër, zoti Todd D. Robinson, vlerësoi ecurinë e punës dhe arritjet e Prokurorisë së Posaçme, duke theksuar se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, riafirmon se mbështetja ndaj SPAK do të vijojë me të njëjtat ritme, me qëllim arritjen e objektivave ligjore të kësaj Strukture, që lidhen me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me synimin e konsolidimit të shtetit ligjor dhe dhënies fund të kulturës së pandërshkueshmërisë.