Në Javën Globale të Parasë, Banka e Shqipërisë organizoi një aktivitetet që ka në qendër ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe të rinjve për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë për të marrë vendime financiare të mirëmenduara.
Në thelb të këtyre aktiviteteve qëndron edukimi financiar, më konkretisht: si të administrojnë paratë, si të kursejnë, si të mendojnë financiarisht, por edhe si të jenë të kujdesshëm e të shmangin mashtrimet financiare online. Këto do të realizohen nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre në leksione, konkurse, vizita në Muzeun e Bankës së Shqipërisë dhe orë të hapura mësimore.
Aktivitetin çelës të Javës së Parasë 2024 e përshëndetën Guvernatori i BSH Gent Sejko, ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu dhe kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Bledar Shella.
Guvernatori Sejko theksoi nevojën për të përqafuar një qasje të përgjegjshme dhe të informuar në administrimin e financave personale, duke u bërë të vetëdijshëm për rreziqet potenciale në ndërveprimin financiar.
“Është shumë e rëndësishme për të rinjtë të identifikojnë rreziqet e lidhura me mashtrimet online, si dhe rreziqet e tjera që rrjedhin nga informacionet dhe këshillat e pasigurta. Siç mund të lexoni dhe në agjendën e javës, për të edukuar në këtë drejtim të rinjtë dhe më të vegjlit, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me partnerët e saj do të organizojnë programe dhe aktivitete edukative në të gjithë vendin”, u shpreh Guvernatori.
Dixhitalizimi i shpejtë dhe sfidat urgjente që paraqet ndryshimi i klimës, po transformojnë mënyrën se si konceptohen instrumentet dhe si angazhohemi në marrëdhëniet financiare. Të rinjtë kanë mundësinë të përdorin burimet e tyre si një forcë për ndryshim pozitiv në shoqëri dhe mjedis. Edhe për këtë qëllim Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë dhe po zbaton dy strategji të rëndësishme për klimën dhe edukimin e përfshirjen financiare.
Strategjia e edukimit shërben si instrument për institucionet arsimore, bankare, financiare, bizneset, OJQ-të etj. që të zhvillojmë së bashku politika, programe dhe materiale edukative, me qëllimin kryesor përmirësimin e kulturës financiare në të gjithë vendin. Përparimi në këtë nismë na përball me sfida dhe rëndësia e ndarjes së përvojave, e mësimit nga njëri-tjetri për të rritur dhe promovuar kulturën financiare bëhet gjithnjë e më e nevojshme.
“Gjej rastin që me çeljen e Javës Globale të Parasë 2024, të shpreh urimet më të mira për suksesin e kësaj fushate. Të përgëzoj dhe falënderoj nxënësit, studentët dhe mësuesit e shumtë që na u bashkuan. I inkurajoj pjesëmarrësit e rinj të angazhohen aktivisht, të bëjnë pyetje dhe të shijojnë përvojën e mësimit. Banka e Shqipërisë është krenare që është organizatori kryesor vendas i kësaj nisme globale, duke nxitur ndryshime të rëndësishme për përfshirjen e edukimin financiar, si dhe digjitalizimin, të cilat kanë rritur ndjeshëm rëndësinë e edukimit financiar në vendin tonë”, tha Sejko.