Tre ditë nga miqësorja me Kilin, kuqezinjtë kanë nisur stërvitjen. Trajneri Sylvinho ka nisur seancat stërvitore dhe kërkon maksimumin prej lojtarëve. Në stërvitjen e sotme ishin të pranishëm të gjithë lojtarët. Gjatë mbrëmjes së djeshme u bashkua me ekipin edhe Qazim Laçi, ndërsa ditën e sotme ka mbërritur në grumbullim dhe Naser Aliji, i cili është bashkuar menjëherë me skuadrën në stërvitje.
Ushtrimet ishin fokusuar në goditjet standarde. Megjithatë, tekniku nuk ka rrezikuar për tí sforcuar së tepërmi fizikisht. Kurse Myrto Uzunit ka kryer stërvitje të diferencuar në palestër për shkak të lodhjes muskulare.
Nga miqësorja me Kilin pritet që të ketë edhe një numër të madh tifozësh kuqezi për Kombëtaren. Mijëra bileta janë rezervuar nga tifozët shqiptarë në Parma.
Seanca e radhës stërvitore e kuqezinjve do të zhvillohet ditën e nesërme, ndërsa të enjten në mëngjes Kombëtarja do të niset drejt Italisë, ku pasdite do të zhvillojë edhe seancën e fundit stërvitore në kuadër të ndeshjes me Kilin, që do të luhet në stadiumin “Ennio Tardini”, Parma më 22 mars, duke nisur nga ora 20:45.