Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3.25%.
Në prezantimin e këtij raporti, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se inflacioni ka shënuar rënie gjatë muajve Janar dhe Shkurt të këtij viti.
“Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rënie të shpejtë gjatë dy muajve të parë të vitit. Më konkretisht, inflacioni ra nga niveli mesatar prej 3.9% në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, në nivelin mesatar prej 3% në muajt janar – shkurt të vitit aktual. Kjo rënie pasqyroi reduktimin e shpejtë të inflacionit të artikujve ushqimorë, ndërkohë që inflacioni i artikujve të tjerë u shfaq më i qëndrueshëm”, u shpreh Guvernatori.
Sejko theksoi në fjalën e tij se rritja ekonomike e Shqipërisë do të vazhdojë, edhe pse gjatë këtij viti pritet të jetë më i ngadaltë.
“Rritja ekonomike do të vazhdojë të gjejë mbështetje në shëndetin financiar të sektorit privat, në dinamikat pozitive të tregut të punës, si dhe në një ambient të qëndrueshëm financiar. Ajo do të nxitet nga rritja e konsumit familjar, e investimeve dhe e turizmit. Ritmi i rritjes ekonomike pritet të jetë disi më i ngadaltë gjatë vitit aktual, por ai pritet të përshpejtohet në periudhën në vijim, duke qëndruar në linjë me potencialin e ekonomisë”, theksoi Gent Sejko.
Përgjatë vitit 2024 dhe në vijim, inflacioni pritet që të stabilizohet në objektivin e Bankës së Shqipërisë, në nivelin 3%.