11 persona të arrestuar në Tetor 2023 për transport të emigrantëve të paligjshëm, do të dalin para gjykatës.
Prokuroria e Durrësit e ka mbyllur hetimin për të akuzuarit dhe ka dërguar dosjen në gjykatë.
Nga hetimet e ndjekura nga prokurori Madrid Kullolli ka rezultuar se të pandehurit kanë konsumuar veprat penale të ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve, përkrahje e autorit të krimit dhe moskallëzim krimi.
Prokuroria e Durrësit thotë se e ka të provuar që Daniel Sina, Emiljan Sina, Fatmir Kapa, Hume Murrizi, Fatjon Ukaj, B.M, Etleva Piro me veprime aktive të kundraligjshme kanë ndihmuar në strehimin, shoqërimin, transportimin e emigrantëve të paligjshëm për kalimin e kufirit nga Greqia, në Shqipëri dhe transportimin e tyre në drejtim të Shkodrës me qëllim që të kalonin kufirin më Malin e Zi.
Këta persona kanë ndihmuar 62 emigrantë nga vendet e Lindjes së Mesme, prej të cilëve 25 e kanë kaluar kufirin, kurse 37 të tjerë janë kapur nga policia.
Dy të akuzuar të tjerë Adrijan Tema dhe Ledion Koçiu, që dyshohen për përkrahje e autorit të krimit, merrnin makina me qira për llogari të grupit që transportonte emigrantë dhe tërhiqnin paratë nga shoqëritë e transfertave.
Kurse Regina Hyka dhe Shani Piro janë kapur në flagrancë gjatë strehimit të emigratëve të paligjshëm, duke qenë në dijeni për aktivitetin kriminal.
Kështu, organi i hetimit në Durrës thotë se e ka përfunduar hetimin bazuar në prova dhe fakte, duke e dërguar dosjen në gjykatë për gjykim në ngarkim të 11 personave të sipërpërmendur.
Ky grup, pasi ndihmonte emigrantët e paligjshëm që të kalonin kufirin e gjelbër nga Greqia, ndihmoheshin kundrejt vlerave të larta monetare që shkonin deri në 5 mijë Euro për person, dhe transportoheshin drejt Shkodrës me qëllim final kalimin më pas drejt Malit të Zi.
Aksioni për arrestimin e tyre u finalizua nga policia në Tetor 2023 në Durrës dhe disa qytete të tjera.