Dorëzimi i kontrolluar i 1 kg kokainë në mes të Tiranës gati u kthye në një bilanc krimi.Trafikantët tentuan të shtypin me makinë policët në momentin që blerësi i tyre rezultoi i infiltruar.
Ndërsa efektivët qëlluan me armë duke plagosur në vithe biznesmenin Enea Sulejmani. E kamufluar mes çantës sportive ishte fshehur 1 kg kokainë në sediljen e pasme të fuoristradës Tiguan ngjyrë e bardhë me targa AB 780 MP.
Nga pas ky mjet kishte agjentët e antidrogës ndërsa thirrjes ‘ndal policia” drejtuesi i mjetit Eneo Sulejmanaj jo vetëm që si është bindur por në tentativë për tu larguar ka vënë para me makinë policët.
Në këto moment një nga tre agjentët ka qëlluar mbi Sulejmanaj dhe plumbi ka depërtuar tek doreza e derës së shoferit duke e plagosur atë në vithe.
Pas ndihmës mjekësore ai është jashtë rrezikut për jetën dhe me vendim të prokurorisë është arrestuar.
Këto janë pamjet e hetimit të bërë nga policia shkencore ndërsa veprimet e agjentëve të antidrogës kanë kaluar edhe në sitën e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Së bashku me Sulejmanaj në prangat e policisë kanë rënë edhe dy shokët e tij të cilët ishin pasagjer në mjetin ku ndodhej Kokaina.
Ata janë shtetasit Shkëlqim Ostreni 26 vjeç dhe Igli Begaj 20 vjeç. Operacioni i mbrëmjes së të Enjtes ishte vijim i procedimit penal 496 vitit 2024, ndërsa veprimet e ndërhyrjes në terren në kushtet e flagrancës ishin lejuar me urdhër të prokurorisë tiranë.
Kjo sasi kokaine e sekuestruar edhe me logon AP sipas hetimeve paraprake rezulton se është marrë tek zona e “Xhamllëkut” nga Sulejmanaj dhe do të shitej tek të tjerë persona.
Por kush është personi i plagosur nga Policia?
Eneo Sulejmanaj njihet si biznesmen në fushën e bar kafeve ndërsa po ashtu është kreu i shoqatës së transportit ndërqytetës në vend, e pak kohë më parë deklaronte në media se anëtarëve të shoqatës së tij humbjet i përllogariteshin në 15 milion euro.
Njoftimi AMP
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka ndaluar punonjësin e policisë Inspektor E. SH., 38 vjeç, efektiv në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.
Ndalimi i këtij punonjësi policie u krye në vijim të hetimeve me metoda speciale, në funksion të ngjarjes së datës 21.03.2024, ku u arrestuan në flagrancë tre shtetas, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Mosbindja ndaj punonjësve të policisë”.
Si rezultat i hetimeve intensive u bë e mundur sigurimi i provave dhe i fakteve mbi dyshimet se punonjësi i policisë, Inspektor E. SH., me lidhje të ngushtë shoqërore me njërin prej personave të arrestuar, ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve për tregtimin e lëndës narkotike prej 1 Kg e dyshuar kokainë, si dhe ka patur dijeni të plotë për personat dhe vendin ku do ndodhte shkëmbimi i lëndës narkotike.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e përkushtuar në përmbushje të misionit të saj për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.
Pas këtij arresti, ka reaguar edhe Ministri Balla:
Vijon procesi i vetëpastrimit në Policinë e Shtetit. Falë punës së Agjensisë së Mbikqyrjes Policore është vendosur përpara përgjegjësisë penale një punonjës i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale “prodhimi dhe shitja e lëndëve” në bashkëpunim me elementë kriminalë.
Policimi është një profesion fisnik që kërkon integritet, guxim dhe ndjenjë të thellë të detyrës. Prandaj do bëj gjithçka për ta çuar përpara procesin e vetëpastrimit të policisë, për të pasur si në drejtim edhe në rolin bazë, jo vetëm më profesionistët, por edhe ata më me integritet.
E vërteta është që përballë sfidave gjithnjë në zhvillim, roli i zbatuesve të ligjit bëhet gjithnjë e më kompleks. Nga lufta kundër narkotikëve, armë-mbajtjes pa leje, krimeve kibernetike dhe patjetër kundër krimit të organizuar forca jonë policore duhet të përshtatet dhe të jetë e aftë dhe inovatore për ta mbrojtur e po aq, për t’i shërbyer publikut.
Reformimi dhe vetë-pastrimi i brendshëm, investimet në teknologji e infrastrukturë, angazhimi i Qeverisë për të mbështetur rritjen e pagave në mënyrë të ndjeshme këtë vit, janë hapa të rëndësishëm në synimin tonë për të patur një shërbim policor të duhur, për Shqipërinë kampion e Ballkanit edhe në fushën e sigurisë publike.
Marrë nga MCNTv Emisioni “FactCheck”