Rruga në lagjen “5 Maji” në Elbasan është mbyllur prej mbrëmjes së të martës për të rindërtuar skemën e vrasjes së Pjerin Xhuvanit më 21 Prill 2021.
Rindërtimi i ngjarjes së rëndë të para 3 viteve para zgjedhjeve parlamentare, bëhet me urdhër të Apelit që vendosi të kryhet eksperimenti pas kërkesës së Arbër Paplekajt, i cili u dënua nga Shkalla e Parë me 22 vite burg për vrasje me dashje të Pjerin Xhuvanit.
Paplekaj kërkoi rikualifikim të veprës penale, në vrasje në kushtet e tronditjes psikike, pasi thotë se u detyrua të qëllonte për vetëmbrojtje.
Për këtë arsye, Apeli e pranoi kërkesën e tij për të bërë rindërtim të skemës. Ekspertët do të përcaktojnë nga sa armë është qëlluar, drejtimin e të shtënave, distancën dhe pozicionimet.
Për këtë arsye, rrugës ku ndodhi ngjarja në vitin 2021 i është vendosur shiriti policor deri në përfundim të rindërtimit të skemës.