Fredi Beleri dhe Jorgo Goro ndodhen të dy në burg pas arrestimit nga SPAK, duke e lënë Bashkinë e Himarës pa kryetar. Në kushte të tilla, Këshilli Bashkiak i Himarës u mblodh sot për të zgjedhur se cilin prej 2 nënkryetarëve të bashkisë do ta caktonin për postin e kryebashkiakut të përkohshëm.
Me 15 vota pro, u zgjodh Blerina Bala si kryetare e Bashkisë së Himarës përballë kolegut të saj Pervin Gjikuria.
Blerina Bala do të jetë kryebashkiake e përkohshme e Himarës deri kur Gjykata e Apelit të shprehet për Fredi Belerin, fitues i Bashkisë së Himarës në zgjedhjet e 2023 por që nuk u ul asnjëherë në karrigen e kryetarit pasi u arrestua dy ditë para votimeve.
Beleri u dënua nga Shkalla e Parë e Gjykatës së Posaçme me 2 vite burg për blerje votash. Ai e ka apeluar këtë vendim. Nëse Apeli e lë në fuqi vendimin duke marrë kështu formë të prerë, atëherë do të duhet që të organizohen zgjedhje të reja të parakohshme për Bashkinë e Himarës.
Ndërkohë, Jorgo Goro që humbi zgjedhjet vitin e kaluar por mbajti detyrën për shkak të arrestimit të Belerit, iu vunë prangat javën e kaluar nga SPAK për akuzën e shpërdorimit të detyrës në lidhje me tjetërsimin e një sipërfaqe toke nga shtet në privat. Pas arrestimit, Jorgo Goro dhe dorëheqjen nga qelia e paraburgimit.
Zgjedhjen e Blerina Balës e përshëndeti edhe Kryeministri Edi Rama.
“Zgjedhja e sotme nga Këshilli Bashkiak të Himarës, me 15 vota pro dhe vetëm 4 kundër, e nënkryetares së bashkisë, Blerina Bala, si kryetare në detyrë është një zhvillim pozitiv për vazhdimin e punës së qeverisë vendore. Përpjekja e dështuar e një grushti individësh të nxitur për ta penguar këtë zhvillim të bazuar në detyrimin përkatës ligjor të Këshillit Bashkiak, tregoi qartë faktin e thjeshtë se shumica e madhe e himariotëve nuk i përkasin llogores së konfliktit, përçarjes dhe amplifikimit absurd të një sherri primitiv, i cili ushqehet për interesa dhe hesape që s’kanë asnjë lidhje me interesat e Himarës”, ka shkruar Kryeministri Edi Rama në rrjete sociale.