Një vajzë dyshohet se ka qenë shkaku i sherrit mes grupit të të rinjve në Shkozë, që degradoi në vrasjen e 18-vjeçarit Aureljo Dervishi më 31 Mars 2024.
Viktima ishte pasagjer në makinën Audi së bashku me 4 persona të tjerë; dy shokë dhe dy shoqe.
3 djemtë u konfliktuan me 4 të rinj të tjerë që udhëtonin me një makinë tjetër, ku të gjithë ishin minorenë me përjashtim të shoferit 21-vjeçar Frensi Shehi, që dyshohet se ka qenë edhe personi i cili nisi sherrin, sipas dëshmive të dy vajzave që ndodheshin në makinë me viktimën.
WebLajm ka siguruar dëshminë e dy vajzave, E.A. dhe A.S., që kanë dhënë para grupit hetimor.
Vajza me iniciale E.A. ka pranuar se shoferi i makinës tjetër, Frensi Shehi, ka patur pëlqim për të, por ajo kishte interes vetëm për shoqëri me të.
Në dëshmi, ajo ka thënë se ishte njohur me 21-vjeçarin Frensi Shehi prej 1 muaji përmes personave të tjerë dhe kishin shkëmbyer numrat e telefonit dhe rrjetet sociale. Më pas e kishte ndëprerë komunikimin me të pasi nuk ishte e interesuar për të krijuar lidhje me 21-vjeçarin. Kur nisi sherri mes dy grupeve, E.A. ishte e ulur në sediljen e parë të makinës.
“Sapo kaluam semaforin, Frensi Shehi doli para rrugës me makinën e tij të ndaluar dhe iu afrua te xhami R.F. (shoferit të Audit) duke e pyetur përse po qeshnin me të dhe shokët e tij. Gjatë kësaj kohe, kanë dalë nga mjeti R.F., Aureljo Dervishi dhe I.I., dhe kanë filluar të debatojnë. Ka qenë shtetasi Frensi Shehi që ka filluar sherrin duke shtyrë R.F., ndërsa Aureljo Dervishi dhe I.I. kanë shtyrë dy personat e tjerë që ishin me Frensin. Gjatë goditjeve, dëgjova Frensin të thoshte “thika, thika” dhe ka parë Aureljo Dervishin të shkonte pranë bordurës së rrugës dhe dy shokë të Frensit. Më pas pashë Aureljo Dervishin në tokë dhe dy shokët e Frensit që janë futur në makinën me të cilën u larguan”, ka thënë E.A. në dëshminë e saj.
Aureljo Dervishi ishte gjakosur dhe nuk reagonte. Pas ngjarjes, ajo dhe shoqja e saj A.S. u larguan për në shtëpi. Për herë të fundit komunikoi me Frensis Shehin në rrjete sociale, ku ky i fundit e pyeti për gjendjen shëndetësore të Aureljo Dervishit dhe mësoi se 18-vjeçari kishte ndërruar jetë.
Edhe shoqja tjetër e viktimës, A.S., ka treguar të njëjtën dinamikë për ngjarjen si shoqja e saj E.A.
“Aureljo Dervishi ka shkuar tek bagazhi i mjetit dhe ka marrë një levë me të cilën ka tentuar të godiste personat e grupit tjetër por leva nuk ka goditur asnjërin prej tyre. Njëri nga grupi tjetër ka marrë levën dhe ka gjuajtur Aureljo Dervishin. Kur po goditeshin, dëgjova një person të thoshte “nxirre thikën” dhe aty pashë një person të moshës rreth 16-17 vjeç me biçak, i cili ka goditur dy herë në drejtim të Aureljo Dervishit. Aureljo u largua disa metra dhe kur kishte shkuar tek korsia e biçikletave ka tentuar të mbahet, por ishte shembur në tokë. Shkova pranë Aureljo Dervishit për ta pyetur, por ai nuk përgjigjej. Për një moment humba ndjenjat erdha në vete si pasojë e ujit që më hodhi në fytyrë një grua”, është shprehur A.S. në dëshmi.
WebLajm publikoi më herët edhe dëshminë e 16-vjeçarit që dyshohet se vrau me thikë Aureljo Dervishin ku tregoi edhe dinamikën si nisi sherri mes të rinjve që përfundoi me vrasjen e 18-vjeçarit.