WebLajm ka zbardhur dëshminë para grupit hetimor të 16-vjeçarit Sh.H., autor i dyshuar i vrasjes me thikë të 18-vjeçarit Aureljo Dervishi në zonën e Shkozës në kryeqytet, ngjarje e ndodhur më 31 Mars 2024.
16-vjeçari ka qenë së bashku me 3 shokë të tij, njëri prej tyre 21-vjeçar kurse të tjerët minorenë.
Ai ka shpjeguar se kanë qenë në një dyqan duke ngrënë akullore, kur pranë tyre u afrua një makinë Audi brenda së cilës ishte dhe viktima. Sipas tij, personat brenda Audit po tregonin me gisht në drejtim të tyre dhe po qeshnin.
Audi u largua, e më pas edhe të rinjtë që ndodheshin në dyqan. Ata morën makinën e tyre që drejtohej nga 21-vjeçari dhe në semafor u ndeshën sërish me makinën Audi të parkuar paralel.
Nisën sërish ngacmimet deri kur të dy palët dolën nga makinat respektive dhe nisën të konfliktoheshin fizikisht.
Sipas dëshmisë së 16-vjeçarit, teksa palët po konfliktoheshin fizikisht, njëri prej djemve që ndodhej në makinën Audi (me të cilën udhëtonte dhe viktima) iu drejtua me fjalët “do të të kap me shpulla”.
Ndërsa një tjetër i goditi me levën e gomave, që sipas dëshmive në dosjen hetimore, ky persona ka qenë viktima. Në këtë moment, 16-vjeçar tregon se teksa po konfliktohej, nxorri nga xhepi thikën dhe goditi 18-vjeçarin Aureljo Dervishi nga ana e majtë në zonën e barkut.
Pas këtij momenti, ai u largua me vrap në anën tjetër të rrugës, ndërsa 3 shokët e tij u futën në makinë dhe u arratisën nga vendngjarja.
Në skenën e krimit mbetën vetëm personat që udhëtonin me makinën Audi dhe 18-vjeçari i shtrirë përtokë, i cili ndërroi jetë më vonë si pasojë e goditjes me thikë.
Aureljo Derivshi ka qenë në makinë me 2 shoqe dhe 2 shokë.
Disa orë më vonë, të nesërmen, Policia e Tiranës gjeti dhe ndaloi 4 të rinjtë e tjerë që ishin larguar nga vendngjarja; 21-vjeçarin Frensis Shehu dhe 3 të miturit, ndër ta edhe 16-vjeçarin që dyshohet se goditi me thikë. Të katërt akuzohen për vrasje me dashje të kryer të bashkëpunim, teksa Prokuroria po punon për të përcaktuar saktë rolin e gjithësecilit.
Për ngjarjen janë pyetur edhe shokët dhe shoqet e viktimës, të cilët kanë qenë në makinë me të.