Një punonjës policie në pikën kufitare të Portit të Durrësit është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për shpërdorim detyre pasi lejoi të kalonte një automjet drejt Italisë pa i bërë kontroll.
Kjo makinë u ndalua në Bari të Italisë sapo zbriti nga trageti, pasi iu gjetën 2 pistoletë. Drejtuesi i mjetit u arrestua.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) ka ekzekutuar Urdhërin e Prokurorisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila ka vendosur masën shtrënguese “Arrest në burg” për punonjësin e policisë Inspektor B. XH., 37 vjeç, me detyrë Kontrollor në Stacionin e Policisë P.K.K. Port Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Nga hetimet e kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, u dokumentua me prova se ky punonjës policie ka shmangur në mënyrë të qëllimshme kontrollin e mjetit tip Bizarke me drejtues shtetasin E. U., 45 vjeç, i cili ka udhëtuar me linjën Durres-Bari dhe sapo ka zbritur në Bari, gjatë kontrollit i janë gjetur 2 armë zjarri të tipit pistoletë”, thuhet në njoftimin e AMP.
Për arrestimin e policit, ka reaguar dhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili thotë se procesi i vetëpastrimit në Policinë e Shtetit po vijon.
“Vijon procesi i vetëpastrimit në Policinë e Shtetit. Falë hetimit të Agjensisë së Mbikqyrjes Policore në bashkëpunim me Prokurorinë e Jurisdiksionit të Përgjithshëm Durrës është arrestuar një punonjës i Policisë Kufitare në Portin e Durrësit, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”. Bashkëpunimi edhe më i ngushtë i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë së Posaçme, sa i përket shkëmbimit të informacioneve lidhur me përfshirjen e mundshme të punonjësve të policisë në veprimtari të paligjshme, do të kontribojë ndjeshëm në realizimin me sukses të procesit të vetëpastrimit dhe, mbi të gjitha, në rritjen e llogaridhënies dhe të besueshmërisë së organizatës së Policisë së Shtetit, si institucion kyç për garantimin e rendit dhe sigurisë në vend, ku besimi dhe bashkëpunimi me institucionet e tjera dhe publikun përbëjnë kusht themelor”, shprehet ministri Balla.