Ervin Shahini alias Spartak Lazaj 50 vjeç nga Tirana, është ekstraduar në Shqipëri nga Koreja e Jugut, i njohur si “vrasësi i taksistëve”.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit në Tiranë e ka dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vjedhja me dhunë me pasojë vdekjen”, “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
WebLajm raportoi i parë që në fillim të muajit Mars 2024 për arrestimin e Shahinit në Kore të Jugut.
Ervin Shahini vriste dhe plagoste me thikë me thikë taksistët në Tiranë në vitin 1995. Pasi u kërkonte t’a dërgonin në destinacionet që kërkonte, ai i godiste me thikë dhe më pas u merrte automjetet dhe largohej nga vendngjarja.
-Më datë 15.05.1995, në bashkëpunim me shtetasit A. M. dhe N. K., plagosi me thikë shtetasit P. B. dhe A. A.;
-Më datë 10.07.1995, plagosi me thikë shtetasin S. H.;
-Më datë 27.08.1995, vrau shtetasin Xh. A.;
-Më datë 27.10.1995, plagosi me thikë shtetasin I. I.;
Gjatë trazirave të muajit mars të vitit 1997, ky shtetas është arratisur dhe është larguar në mënyrë të kundërligjshme, jashtë Shqipërisë.
Drejtoria e Interpolit, që prej vitit 2015, ka shkëmbyer korrespondenca të shumëfishta me zyrat homologe dhe me agjenci të tjera ligjzbatuese, me qëllim lokalizimin dhe më pas arrestimin provizor të këtij shtetasi, për ta ekstraduar në vendin tonë.
Së fundi, është siguruar informacion se ky shtetas strehohej në Republikën e Koresë. Nga informacionet dhe verifikimet rezultoi se shtetasi Ervin Shahini përdorte identitetin e një shtetasi tjetër shqiptar, për t’iu shmangur arrestimit.
Në kuadër të operacionit “INFRA ATLAS” dhe si rezultat i shkëmbimit të inteligjencës policore, ndërmjet Drejtorisë së Interpolit, Interpol Seulit dhe Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpolit (Sektori Fugitives Investigative Support (FIS)), u finalizua operacioni policor i koduar “Suporti”, gjatë të cilit u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin, i shtetasit Ervin Shahini, 50 vjeç dhe në kuadër të operacionit “Suporti”, ky shtetas u ekstradua drejt vendit tonë.
Pas ekstradimit të tij reagoi edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili thotë se pandëshkueshmëria do të goditet.
“GODITJA E PANDËSHKUESHMËRISË! Po punojmë çdo ditë, me intensitet, me Interpol për gjetjen e personave në kërkim nga drejtësia, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj personave që fshihen në vende të tjera apo në Shqipëri. Përgëzime Policisë së Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme, Interpol Tirana dhe Seulit si dhe Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpolit (Sektori Fugitives Investigative Support (FIS)), për bashkëpunimin, koordinimin dhe finalizimin me sukses të ndalimit dhe ekstradimit të një shtetasi të dënuar me burgim të përjetshëm për krime të rënda kundër personit”, ka shkruar ministri Balla në Facebook.