Prokuroria e Tiranës ka arrestuar zyrtarin e lartë të policisë z.Ervin Muça. Ndërsa në këto hetime të ndjekura nga prokuroria Anisa Qilimi ndihmoi edhe Spak me ekzaminimet kompjuterike. WebLajm mëson se masa ndaj Muçës është miratuar nga gjykata.
Eksportoi bazën e të dhënave TIMS të Policisë së Shtetit, Prokuroria Tiranë kërkon ‘Arrest në shtëpi’ dhe “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për Drejtorin e IT
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kërkon masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimin e ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237, 242 të Kodit të Procedurës Penale për shtetasin E.M, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 192/b/2 i Kodit Penal “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.
Drejtoria e Pergjithshme e Policisë së Shtetit ka referuar materialin procedural regjistruar me nr. 9866, datë 01.09.2023 për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, si dhe “Hyrja e Paautorizuar Kompjuterike”, parashikuar nga nenet 248 dhe 192/b të Kodit Penal. Po kështu, me shkresën nr. 2482 prot, datë 08.08.2023 Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka përcjellë material hetimor, protokolluar me nr. 10898, datë 08.08.2023, për vlerësim dhe është regjistruar procedimi penal nr. 5404, datë 01.09.2023.
Në vijueshmëri të hetimit, shtetasi E. M. është marrë person nën hetim, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Hyrja e Paautorizuar Kompjuterike”, parashikuar nga neni 192/b/2 i Kodit Penal.
Në mënyrë të përmbledhur nga hetimi i procedimit penal rezulton se, në datën 02.08.2023 në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, e cila ndodhet në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit me adresë Rr. Mine Peza në Tiranë, ka pasur hyrje dhe eksportim të të dhënave të paautorizuara nga Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit, E.M. Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, ku persona të paautorizuar janë futur në godinë me pin-in personal të një punonjësi tjetër jo prezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin.
Hetimi i këtij procedimi penal është shtrirë në pyetjen e tërë personazheve të përfshirë në ditën e ngjarjes, por njëkohësisht edhe në kryerjen e ekspertimeve përkatëse. Në vijim të procesit hetimor, janë kryer verifikime mbi vërtetimin e besueshmerisë së personit nën hetim E. M., në raport me pozicionin e tij Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin.
Personi nën hetim, sipas shkresës nr. 3041/1 prot, datë 08.01.2024 të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore, rezulton se në datë 23.10.2007 në Itali është raportuar si përgjegjes për veprat penale të dokumenteve false kryer nga persona privatë dhe përdorimin e një akti të rremë. Në datë 09.09.2008 shtetasit E. M. i është njoftuar vendimi për refuzimin e rinovimit të lejes së qëndrimit të marrë nga shtabi i policisë në Bari.
Nga hetimi procedimit penal ndërmjet të tjerash, rezulton se personi nën hetim është këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërkohë që është edhe Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionit në Policinë e shtetit. Ligji për policinë e shtetit, ndalon veprimtari të dyta përveç mësimdhënies. Personi nën hetim E. M. nuk e ka deklaruar këtë veprimtari të dytë në dokumentet aplikues për pozicionin e DTI në policinë e shtetit.
Reagimi Ministrit Taulant Balla
Bashkëpunimi edhe më i ngushtë i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore me Prokurorinë e Posaçme, prokuroritë e jurisdiksionit të përgjithshëm dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese po mundëson verifikimin e çdo informacioni lidhur me përfshirjen e mundshme të punonjësve të policisë në shkelje apo veprimtari të paligjshme. Konsolidimi i procesit të vetëpastrimit në të gjitha nivelet, lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizatës së Policisë së Shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit. Gjatë tre muajve të parë të vitit 2024, Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka inicijuar 35 hetime, proaktive me 136 punonjës të policie të proceduar penalisht.
.