Raporti i kredive me probleme ra në muajin shkurt dhe preku një nivel të ri më të ulët për 15 vitet e fundit.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme zbriti në 4.69%, nga 4.88% që kishte qenë për janarin dhe 5.16% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Treguesi i kredive me probleme ndodhet në nivelin më të ulët që prej tetorit të vitit 2008.
Një efekt pozitiv në rënien e raportit të kredive me probleme për tetorin vlerësohet të ketë patur edhe rritja e ndjeshme e tepricës së kredisë. Portofoli i kredisë për ekonominë në fund të muajit shkurt arriti në 750 miliardë lekë, me një rritje prej 9 miliardë lekësh krahasuar me fundin e janarit. Me bazë vjetore portofoli total i kredisë ishte në rritje me 5.6%, nga 4.1% që kishte qenë rritja për muajin janar.
Cilësia e portofolit të kredisë së sektorit bankar po vazhdon të përmirësohet, pavarësisht shqetësimeve në rritje që solli vala inflacioniste dhe rritja e normave të interesit.
Sipas vlerësimeve paraprake të INSTAT, ekonomia shqiptare u rrit me 3.44% vitin e kaluar.
Goditja inflacioniste dhe rritja e normave të interesit ka sjellë ngadalësim të rritjes ekonomike nga niveli prej 4.8% i vitit 2022, por sidoqoftë ritmet e rritjes së ekonomisë shqiptare ngelen të mira në raport me shumicën e vendeve të Bashkimit Europian dhe të Rajonit të Ballkanit Perëndimor. Përtej asaj që tregojnë statistikat zyrtare, sektori i turizmit vlerësohet të ketë pasur një efekt të rëndësishëm në kërkesën për mallra dhe shërbime dhe në shëndetin e sektorit privat të ekonomisë, megjithëse ky efekt mund të mos jetë plotësisht i dukshëm për shkak të informalitetit të lartë.
Një ndikim të rëndësishëm në mbajtjen nën kontroll të raportit të kredive me probleme besohet se e ka dhënë rritja e vogël e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar, por edhe forcimi i Lekut në kursin e këmbimit.
Banka e Shqipërisë e rriti normën bazë të interesit vetëm dy herë në 2023 dhe niveli prej 3.25% është ndër më të ulëtit në Europë, larg prej normave të aplikuara nga bankat qendrore në Europë dhe në rajon. Kjo bëri që yield-et dhe normat e interesit të kredive të qëndronin në nivele të ulëta, madje duke e korrigjuar në një masë të madhe rritjen e fortë të fundit të vitit 2022.
Të dhënat e para të vitit 2024 po tregojnë një rënie të mëtejshme të inflacionit. Për shkurtin, inflacioni vjetor zbriti në 2.3%, në nivelin më të ulët të tre viteve të fundit. Ulja e inflacionit po i ul ndjeshëm gjasat për rritje të mëtejshme të normave të interesit dhe për një rritje të kostove të huamarrjes. Mosrritja e normave të interesit është krijon pritshmëri optimiste edhe për vijimësinë e rritjes të kreditimit të ekonomisë.
Një faktor tjetër që vlerësohet të ketë ndikuar pozitivisht ecurinë e kredive me probleme është forcimi i Lekut në kursin e këmbimit valutor. Forcimi i monedhës vendase ka ulur koston e huave në valutë të huaj për kredimarrësit me të ardhura në Lekë.