Gianfranco Bonzi, një shtetas Italian nga Venecia, mund të ketë pësuar një nga zhgënjimet më të mëdha në dashuri, aq sa që prej 23 Marsit është zhdukur.
Duket se ai ka përjetuar një zhgënjim të thellë. Dhe shkak për këtë është bërë Dua Lipa, këngëtarja me origjinë shqiptare e njohur botërisht.
Por nuk është fjala për Dua Lipën e vërtetë, por për një vajzë mashtruese me të cilën Gianfranco ishte njohur në Facebook dhe kjo e fundit i ishte prezantuar si Dua Lipa përmes një profili të rremë.
Historia e “dashurisë” mes tyre daton verën e kaluar, kur kjo vajzë që pretendonte se ishte Dua Lipa i dërgonte foto italianit vazhdimisht deri sa Gianfranco arriti ta besonte vërtetë dhe ra në dashuri me të, duke menduar gjithmonë se ishte Dua Lipa.
Bisedat mes tyre vazhduan deri sa një ditë, kjo vajzë që fshihej prapa maskimit të Dua Lipës i kërkoi dhe i mori Gianfrancos një shumë parash prej 5 mijë Euro.
Prej atij momenti, cdo bisedë virtuale mes tyre u ndërpre. “Dua Lipa” u zhduk.
Gianfranco mesa duket pësoi një zhgënjim të madhe dhe prej 23 Marsit është i zhdukur.
Rasti është trajtuar nga emisioni investigativ në Itali, “Chi l’ha visto”. Një mik i Gianfrancos tregoi se para se të zhdukej ai i kishte thënë që mendonte se ishin të fejuar me “Dua Lipën” dhe se e quante “dashuria ime”.
Para se të zhdukej, Gianfranco kishte lënë edhe një shënim në Facebook.
“Ky është postimi im i fundit dhe një nga veprimet e mia të fundit. Shkaku është një zhgënjim në dashuri që nuk e përballova dot”, kishte shkruar ai.
Emisioni tentoi të vendoste kontakte me vajzën mashtruese që fshihej prapa adresës së Dua Lipës, por pa sukses.