Policia e Shtetit, në bashkëpunim me struktura të tjera ligjzbatuese, ka zbuluar një bazë të falsifikimit të vulave për dokumente shtetërore.
Kjo bazë u zbulua në zonën e Yzberishtit në një firmë private, ku kryheshin dhe krime të tjera ekonomiko-financiare.
Në pranga ranë Çlirim Bregu 53 vjec dhe Arben Rushiti 54 vjec, të dy organizatorë të skemës së falsifikimit të vulave. Po kështu u arrestua edhe një qytetar, Fatos Shima 54 vjec, i cili po merrte një dokument fals në momentin e aksionit policor të koduar “Vula”.
Policia thotë se Çlirim Bregu dhe Arben Rushiti, nëpërmjet vulave false të institucioneve të ndryshme shtetërore brenda dhe jashtë Shqipërisë, iu siguronin dokumente (leje qarkullimi, libreza, deklarata noteriale, dokumente shkollore dhe dëshmi të aftësive profesionale) shtetasve të ndryshëm.
Në ambientet e subjektit privat u gjetën 210 shishe me verë, të dyshuara të kontrabanduara, si dhe u konstatua se ishin punësuar shtetas, pa u siguruar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.