Prokuroria e Shkodrës ka sekuestruar pasuritë e një shtetasi nën dyshime për pastrim parash të ardhura nga veprimtari e paligjshme.
Bëhet fjalë për Ago Gjolaj, i cili, sipas Prokurorisë, dyshohet se merret me kontrabandë mallrash dhe është pjesë e një grupi kriminal të trafikut të drogës.
Hetimet ndaj tij nisën më 27 Korrik 2017 për pastrim parash pas referimit të materialit nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.
Ago Gjolaj së bashku me dy vëllezëtit e tij janë hetuar disa herë nga autoritetet shqiptare madje edhe janë dënuar për vepra penale të ndryshme (kontrabandë, tregëtim mallrash kontrabandë etj).
Gjithashtu, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka regjistruar edhe procedimin penal nr. 1372/2020 për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, pas referimit nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër, e cila është vënë në dijeni nga Zyra Kombëtare Interpol Tirana, se autoritetet e Malit të Zi kanë qenë duke hetuar shtetasen shqiptare S.Gj, subjekt i lidhur me shtetasin A.Gj, pasi më datë 12.04.2018, ajo ka nënshkruar një kontratë për blerjen e një jahti luksoz me vlerë 300,000 (treqind mijë) euro nga shtetasi malazez S.J, i përfshirë në veprimtari kriminale dhe pastrim parash.
Për këtë arsye, Gjykata e Shkodrës me kërkesë të Prokurorisë sekuestroi pasuritë e Ago Gjolaj, që janë shoqëria tregtare “B.M” SHPK, me Nipt: K68404706Q; Pasuritë e paluajtshme në pronësi të shoqërisë “B.M” SHPK, konkretisht, pasuria nr. 1155/8 ND2+N2, vol.28, fq.58, ZK.2105, Show Room, me sipërfaqe 199 m2; pasuria nr.1345/1, vol.10, fq.176, ZK.2221 indeks harte k-34-63 (95-D), adresa Koplik i sipërm, Rr.1, Malësi e Madhe dhe pasuria nr.37/4, vol.6, fq.69, ZK.1977; 97 automjete në pronësi të shoqërisë “B.M” Shpk dhe të gjitha llogaritë bankare në bankat e nivelit të dytë në emër të Ago Gjolaj, shtetases S.Gj, si dhe të shoqërisë “B.M” SHPK.