Me llogaritjet për tatimin mbi të ardhurat K.E., me profesion psikologe do të duhet të paguajë rreth 1 mijë euro tatim në muaj për shtetin. Ajo pohoi për “Monitor” se masa e detyrimit tatimor është shumë e lartë dhe rrezikon ta çojë drejt falimentimit.
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat”, nisi zbatimin me profesionet e lira nga 1 janari 2024 dhe profesionistëve u kanë ardhur tashmë faturat e kripura, ndërsa paqartësitë për mënirën si po zbatohet ligji janë të shumta.
“Mënyra e llogaritjes për parapagimin e tatimit jo vetëm që është e padrejtë, por edhe është në masë të lartë. Është pothuajse e papërballueshme.
Me këtë formulë llogaritje, shteti pothuajse të takson 100% të ardhurat, duke mos përfshirë llogaritjet e shpenzimeve për karburant për lëvizjet me makinë në gjykatat e rretheve, por edhe rënien e volumit të punës, për shkak të largimit të gjykatësve nga Vetingu apo në gjykata të tjera, ku roli i psikologut nuk është i nevojshëm.
Në këtë situatë, shumë prej të vetëpunësuarve të profesioneve të lira rrezikojnë të mbyllin aktivitetin, pasi tatimi është i papërballueshëm”, pohon ajo.
Edhe për Gj.K., me profesion avokat, tatimi vjetor prej 9 mijë eurosh apo 1 mijë euro në muaj (llogaritja e detyrimet është 9-mujore dhe parapaguhet me këste mujore apo 3-mujore) konsiderohet e lartë.
“Me këtë masë detyrimi të paktën 2 muaj në vit duhet të punojmë vetëm për shlyerjen e detyrimeve ndaj shtetit. Detyrimi është tepër i lartë”, veçon ai.
Ndërsa avokatja dhe lektore e së drejtës juridike, Enida Bozheku, tha se me ligjin e ri nuk zbatohet principi i drejtë i taksës progresive. “Profesionet e lira do të paguajnë njësoj tatim sa një prodhues.
Ky taksim godet shtresën e mesme, veçanërisht të rinjtë. Do të nxisë emigracionin, pasi nuk do të përballohet detyrimi i lartë”.
Vitet e fundit, tregu i shërbimeve IT në Shqipëri është zgjeruar për shkak të konkurrueshmërisë nga zerimi i taksave për të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime ndaj të tretëve.
Vendosja e tatimit nga 15 deri në 23% te profesionet e lira pritet të ketë ndikim negativ edhe te kompanitë apo të vetëpunësuarit që ofrojnë shërbime IT.
Aleksandër Risilia, drejtues i kompanisë “Ritech”, që ofron shërbime IT për tregun amerikan tha për podcast-in “Business Plus” se vendosja e tatimit do të ndikojë në tkurrjen e numrit të kompanive IT.
“Zerimi i taksave për profesionet e lira ka dhënë shumë kontribut te zgjerimi i tregut IT në Shqipëri. Përpara krizës globale të vitit të kaluar, numri i kompanive dhe të vetëpunësuarve të shërbimit IT është rritur 40 deri në 50%. Vendosja e taksimit do të ketë disa efekte.
E para, kompanive IT iu vihet “laku në fyt” me taksimin e ri.
Së dyti, përfshirja e taksimit, nisur nga të dhënat që ne disponojmë, i ka shtrenjtuar shërbimet e ofruara në Shqipëri më shumë se në Kosovë dhe Maqedonia e Veriut.
Kjo do të sjellë stopim të rritjes së kompanive dhe të vetëpunësuarve në këtë sektor, por edhe tkurrje të tyre. Efektet nuk janë aspak pozitive për këtë sektor që prej vitesh është zgjeruar në Shqipëri.
Nga ana tjetër, eksportuesit e shërbimeve IT, të cilat po krijojnë vlerë aftësish në tregun shqiptar, po vuajnë efektet e forcimit të lekut”.
Z. Risilia pohon se zbatimi i tatimit te profesionit e lira do të ndikojë negativisht jo vetëm tek industria eksportuese e shërbimeve IT në Shqipëri, por edhe ndërprerjen e aftësimit profesional të individëve për të themeluar start up-e të reja inovative për tregun e huaj.
“Nuk jemi ende gati për të qenë një treg i madh start up, pasi të gjitha tregjet e ngjashme, si në Poloni dhe Rumani, të cilat e kanë kaluar këtë fazë, fillimisht e kanë nisur duke ofruar shërbime ndaj kompanive të huaja. Të punosh për kompani të mëdha do të thotë të rrisësh aftësitë profesionale.
Kjo ka sjellë që shumë individë, që kanë punuar më parë me kompanitë e mëdha të huaja, janë aftësuar profesionalisht për të krijuar start-up, pasi është shumë e vështirë për të ngritur start up inovativ me ndikim botëror nëse nuk ke aftësi.
Aftësitë fitohen, duke punuar për kompani e mëdha. Prandaj është tepër e nevojshme që miratimi i politikave fiskale të jenë të përshtatshme për IT, pasi janë kontribuuesi më i madh i individëve për ngritjen e strat-up në Shqipëri”, tha ai.
Në anketën e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve të zhvilluar në muajin shkurt 2024, me 601 sipërmarrje pjesëmarrëse për administrimin fiskal, informalitetin dhe tregun e punës, 48% e tyre perceptuan se ligji i ri “Për tatimin për të ardhurat” do të rrisë informalitetin në vend.
Tendenca e rezultateve është e njëjtë si 2 vite më parë kur u publikua për konsultim projektligji (50% e kompanive të pyetura perceptuan efekte në rritjen e informalitetit).
8% e tyre kanë pohuar se zbatimi i ligjit të ri do të reduktojë informaliten, nga 16% që perceptuan në 2022 efekte pozitive për ulje informaliteti. Optimistë për reduktimin e informalitetit u pohua nga 8% e të aketuarve nga 16% që ishte rezultati në anketën e 2022.
Dallimi në rezultatet e sondazhit të këtij viti me atë të zhvilluar 2 vite më parë përfshin rritjen e numrit të kompanive që shprehin dyshim për efektet e ligjit. 25% të tyre janë shprehur se nuk e dinë se çfarë efekte do të ketë.
Në sondazhin e 2022 shprehën dyshim për efektet e ligjit 5% të kompanive të pyetura.
Si kontabilistët edhe juristët pohojnë me shqetësim si ndryshimet e reja ligjore do të nxisin evazionin dhe shmangien e deklarimeve reale nga profesionet e lira.
Kontabilisti Sotiraq Dhamo pohon se moszbatimi korrekt i ligjit do të shkaktojë një sërë efektesh që nga goditja e shtresës së mesme, ankesat e shumta të tatimpaguesve dhe evazion në deklarime.
“Që në konsultimet e hershme të ligjit ne kemi deklaruar që krijon pabarazi mes tatimpaguesve dhe godet shtresën e mesme të profesionistëve.
Në kahun tjetër, me moszbatimin korrekt të ligjit ku nuk njihen shpenzimet fikse 30% për të vetëpunësuarit me xhiro vjetore deri 10 milionë lekë drejt administratës tatimore do të vërshojë lum ankesash. Biznesi do të çoroditet.
Gjithashtu do të nxisë së tepërmi evazionin. Bizneset do të ulin xhiron, do të deklarojnë më pak. Shumë biznese do të kalojnë në të zezë. Edhe ligji aktual që i takson profesionet e lira nga 15 deri në 23% do të lërë rrugë për evazion dhe shtim informaliteti ashtu siç ndodhim edhe me ligjin e vjetër”.
Edhe avokatja Enida Bozheku parashikon se ligji i ri do të rrisë evazionin fiskal, për shkak të moszbatimit të principit të drejtë të taksimit progresiv.
“Ligji ‘Për tatimin mbi të ardhurat’ është antikushtetues, pasi cenon barazinë e tatimpaguesve dhe shkel parimet e ekonomisë së lirë të tregut.
Gjithashtu edhe mënyra se si po zbatohet ky ligj nuk është korrekt, çka nxit më tej evazionin. Deklarimet e 2023 për llogaritjen e parapagimit të tatimit do të krijojnë çekuilibër me deklarimet që do të bëjnë bizneset për 2024. Për shkak të tatimit të lartë do të ketë tendenca për të fshehur faturat.
Me ligjin e ri ndër të tjera nuk zbatohet principi i drejtë i taksës progresive. Një profesionist i ri në karrierë nuk mund të paguajë të njëjtin tatim sa një profesionist me vjetërsi që ka më tepër vjetërsi pune dhe klientë.
Nuk është kryer asnjë studim për mbrojtjen e profesionistëve të rinj, të përshtatura me kërkesën e tregut dhe të ardhurat që ata sigurojnë, kur ndërkohë shumë shtete të zhvilluara aplikojnë modelin e fashave të ardhurave me qëllim garantimin e proporcionit të drejtë progresive.
P.sh., në Itali një i vetëpunësuar në profesionet e lira deri në 36 vjeç me xhiro vjetore deri 20,000 euro tatohet 5%. Mbi këtë moshë me xhiro vjetore 60,000 euro norma e taksimit është 15%. Me xhiro vjetore mbi 60,000 euro arrin deri 43%.
Pra shteti nuk duhet të përfshinte në taksim të barabartë, si një profesionist me përvojë dhe një fillestar. Përshtatja e modelit italian do të ishte një zgjidhje e duhur për të ndihmuar profesionistët në moshë të re”, pohon ajo.