Duke shëtitur sot në bregdet, një pamje jo aq e zakonshme më goditi syrin. Fluturimet e shpeshta të avionëve drejtuar për në aeroportin e Tiranës janë një shfaqje e zakonshme, duke simbolizuar rritjen e turizmit dhe lëvizjes së njerëzve. Këto avione sjellin me vete mijëra turistë të etur për të eksploruar bukuritë natyrore të Shqipërisë, sidomos bregdetin që ne vendasit e duam dhe vlerësojmë kaq shumë. Mirëpo, zhvillimi i shpejtë dhe i pakontrolluar urban në këto zona po na kushton shtrenjtë.
Vetëm disa hapa më vonë, në rërën e plazhit, sytë u ngulën në një material të bardhë që kishte pushtuar bregun – polistiroli. Ky material, i përdorur gjerësisht për izolimin e ndërtimeve, tani mbulonte një pjesë të madhe të bregdetit, duke u shtrirë për rreth 3 km nga Klajdi tek Mali i Robit deri në Qerret. Turistët e shumtë që vizitonin zonën e shikonin me habi dhe zhgënjim, ndërsa copat e polistirolit sfidonin perëndimin e mrekullueshëm të diellit.
Ky fenomen trishtues është dëshmi e ndikimit të zhvillimit të shpejtë dhe të pakontrolluar të bregdetit, ku autoritetet ngurojnë ose janë të paafta për të menaxhuar ekspansionin e ndërtimeve dhe për të siguruar infrastrukturën e nevojshme për mbrojtjen e mjedisit. Mijëra turistë që e vizituan këtë bregdet sot dhe ditët në vazhdim do të marrin me vete kujtime të një parajse të ndotur, jo të një destinacioni ideal pushimi.
Investitorët, të cilët duhet të jenë gardianët e parë të kësaj pasurie natyrore, shpesh shfaqin një vizion të cunguar. Ndërtimi i hoteleve në bregdet, i destinuar për të tërhequr turistë, po shkatërron paradoksalisht të njëjtin bregdet që reklamohet si atraksion. Zona është bërë një skenë ku polistiroli ndërthuret me rërën dhe detin, duke u bërë një simbol i neglizhencës dhe menaxhimit të dobët.
Është e nevojshme që autoritetet lokale të marrin masa serioze për të kontrolluar ndotjen dhe të ndëshkojnë mospërmbajtjen e rregullave mjedisore. Mos të lejohet që “Peshku i Detit”, simbol i shijes dhe cilësisë, të mbushet me polistirol në trupin e tij. E ardhmja e turizmit, dhe më rëndësishmja, cilësia e jetës për banorët vendas, varet nga këto veprime.
Ndërsa zhvillimi i bregdetit mund të sjellë përfitime afatshkurtra, abuzimi me burimet natyrore pa dyshim do të rezultojë në një kthim të shtrenjtë për të gjithë. Turistët nuk do të rikthehen për të parë ndotjen, dhe as ne vendasit nuk do të kemi më çfarë të shijojmë nga deti dhe rëra që njëherë na bënin krenarë. Është koha për të vepruar, për të ruajtur atë që natyra ka qenë aq bujare të na ofrojë.
*Nga Rubin Lami







