Gjykata e Lezhës ka urdhëruar pezullimin nga detyra të Shefit të Qarkullimit Rrugor në Policinë e Lezhës, Ismet Sula.
Shkak është bërë një aksident rrugor disa ditë më parë në Lezhë ku ka qenë i përfshirë djali i ish-deputetit Tom Doshi, i cili u favorizua për t’u larguar nga vendngjarja.
Prokuroria e Lezhës është duke e hetuar këtë rast dhe deri tani është mësuar se djali i Tom Doshit ka përplasur me makinë një tjetër mjet ku po udhëtonin një çift bashkëshortësh.
Nga verifikimet e deritanishme të Prokurorisë së Lezhës ka rezultuar se djali i Tom Doshit ka qenë fajtor në aksident dhe u ndihmua e favorizua nga punonjës të policisë për t’u larguar nga vendngjarja, ndërsa policia nuk ka kryer veprimet sipas ligjit.
Organi i hetimit po punon për të zbuluar se kush ka urdhëruar favorizimin e djalit të ish-deputetit, teksa në verifikim janë shefa dhe drejtues të tjerë të Policisë së Lezhës. Hetimet ndaj efektivëve po kryhen për veprën penale shpërdorim i detyrës.