“McGonigal developed a relationship with Prime Minister Rama and took steps to benefit the …”… “Wie die Mafia in AlbanienWahlen manipuliert”… “(Hot)Spot Albanese”…
Shqipëria fal qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, arriti të jetë ndër vendet me të komentuara, pas atyre në luftë, në gjuhë të ndryshme të botës, për skandalet qe veç në gjuhën shqipe nuk marrin peshën e merituar. Pasi pa që çudia nuk kishte gjasa te zgjaste veç 3 ditë, kryeministri nisi të vepronte siç përditë me puthadorët e tij shqiptarë, duke marrë në telefon drejtorin e RAI 3, ku sipas La Repubblica shfryu tërbimin e tij. E ndërsa nën rrogoz përdorte metodat qe kane zhytur Shqipërinë gjithnjë e më poshtë në raportet e lirisë së medias, në publik nisi zbatimi i strategjisë se dalë boje tashmë. Sulme dhe zhvlerësimi i gazetarëve që tentojnë t’i transmetojnë opinionit publik disa prova të shkruara e zeza mbi të bardhë, e jo “copy paste” të ofruara ccdo ditë nga ministria e propagandës nepërmjet kolektorëve mediatik. Fushatën e nisi vetë kryeministri, që ngriti siparin e sulmeve ndaj gazetarëve të RAI 3, por edhe Syri TV, si e vetmja dritare që vijon të rezistojë në misionin e shërbëtorit të qytetarit e jo të pushtetit. Pas shfryrjes së tërbimit nga Rama, stafetën e morën ata që kryeministri i cilëson “miq të sukseseve të qeverisë”. Me metoda komuniste, siç në romanin 1984 të Xhorxh Orëell, nisi lavazhi i trurit. Dashuria për “vëllain e madh” verbon konstatimin e mjerimit ku po zhytet vendi per shkak të qeverisjes mafioze, korrupsionit dhe shitjes së vendit për hir te mbështetjes ndërkombëtare që zgjat pushtetin. Lajmëtarët pranë qeverisë nisën talljen me inteligjencën e shqiptarëve, se denoncimi në gjuhën italiane është nje dëmtim i imazhit të Shqipërisë, ndaj duhet refuzuar, e besimi te “babai i kombit” nuk duhet lëkundur. Sforcohen të thonë se gazetarët italianë nuk jane treguar profesionistë, pasi nuk kanë tentuar të marrin reagimin e palës tjetër, pra të kryeministrit Edi Rama dhe Ëngjëll Agaçit, por refuzojnë t’i thonë opinionit se kolegu i tyre Giorgio Mottola rrezikoi jetën duke vrapuar mes gardës për ti marrë një reagim Agaçit, e ishte po ai gazetar qe u refuzua me ironi nga kryeministri Edi Rama, teksa kërkonte të ndërkombëtarizohej kur parakalonte mbi tapetin e kuq te korrupsionit në Samitin e shkurtit.
Kulmi i mbrojtjes së qeverisë dhe sulmimit të kolegëve italianë arrin me justifikimin e marrjes së mijra hektarë toke në bregdet nga një i cilësuar ndërkombtarisht si bos i mafias shqiptare. Per gazetarët e RAI 3, marrja e këtyre pronave për llogari të shefit të INTERPOL është një rast i dyshuar korruptiv nga Fabrizio Lisi, i cili kur Shqipëria mbulohej nga kanabisi prodhonte raporte te Guardia di Finanza, se kanabisi ishte veç një hamendesim i opozitës dhe gazetarëve. Ndërsa Lisi u arrestua nga autoritetet italiane për pengim të hetimeve, me së shumti për dosjet qe lidhen me Shqipërinë, gazetarët me pasaportë shqiptare përpiqen ta shenjtërojnë, me argumentin se prona qe do të merrej nga mafiozi Artur Shehu do të perdorej për bamirësi. Kulmi!
Ndërsa ish-gjenerali Lisi i arrestuar ne Itali tentohet të shenjtërohet, një prej ikonave të drejtësisë italiane, prokurori i anti- mafias Francesco Mandoi baltoset alla shqiptarçe si i kapur politikisht, e se nuk e njeh Vettingun e Edi Ramës në Shqipëri. Këtu, “manjakët e detajeve” tregohen gazetarë amatorë, duke anashkaluar faktin se ky “militanti” anti-Rama, u kontraktua nga kryeministri shqiptar në nisje të Reformës në Drejtësi, por nuk u pyet më kurrë, pasi nuk ishte kategoria e atyre që shesin raporte e këshilla sipas oreksit të ditës.
Këta rrugëhumbur nga misioni i shenjtë i gazetarit, të paktën, nëse duan të mbeten seriozë, duhet të bëjnë avokatin e qeverisë me prova dhe jo me përshtypje personale.
E veç seriozitet nuk mund të ketë, kur në denoncimin e zhytjes së qeverisë në korrupsion e lidhje mafioze, kryeministri shqiptar trajtohet si dëm kolateral sepse objektiv sulmi ishte Georgia Meloni, duke anashkaluar totalisht faktet ulëritëse.
Ndoshta, zgjidhja e këtyre problemeve nuk vjen nga te mesuarit shqip e gazetarëve italianë, gjermanë e amerikanë, mbase me produktive do të ishte të mesuarit italisht, anglisht e gjermanisht nga shqiptarët, pasi në këtë mënyrë do të bënin me mirë dallimin e të menduarit si gazetar italian e të vepruarit si biznesmen shqiptar. Që më pas të mos na shiten si patriotë që u djeg barku për imazhin e Shqipërisë.
Nga Romir Saraçi