WebLajm ka siguruar pamjet nga operacioni policor për mbajtjen nën monitorim të grupit që trafikonte klandestinë nga Bangladeshi, dosje për të cilën u lëshuan 26 urdhër-arreste.
Klandestinëve, kryesisht nga Bangladeshi, u bëheshin kontrata fiktive punësimi në Shqipëri dhe më pas largoheshin drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Për sjelljen e tyre në Shqipëri ishte një ngritur një skemë e mirëfilltë, ku të përfshirë ishin edhe punonjës të policisë në departamentin e kufirit dhe migracionit.
Sipas dosjes që disponon WebLajm, klandestinën vinin në Shqipëri përmes linjave ajrore në aeroportin e Rinasit, skemë kjo jo e zakonshme për emigrantët të cilët kryesisht largohen nga vendet e tyre me gomone apo rrugë të tjera tokësore. Aty priteshin nga grupi i trafikantëve, të cilët siç shihet edhe në fotot e operacionit policor, i rreshtonin dhe më pas i fotografonin për të dokumentuar ardhjen e tyre sipas kontratave fiktive të punës.
Por teksa grupi i trafikantëve po organizonte klandestinët, prapa krahëve të tyre ishin agjentët e Operacionales, të cilët për llogari të këtij hetimi, filmonin çdo veprim të tyre.
Sipas dosjes së Prokurorisë, personat që prisnin emigrantët në aeroport janë Arnol Shpata dhe Luan Tafalla, të cilët fotografonin klandestinët.
Pas mbërritjes së tyre në aeroport, emigrantët transportoheshin me furgonin e një shoqërie transporti, “Sula Al Trans”, e përfshirë gjithashtu në këtë aktivitet ilegal. Ndërkohë që Arnol Shpata udhëtonte me një makinë tjetër tip Volkswagen Golf.
Furgoni më pas ndaloi në restorantin “Sulaj”, që e posedon pronari i agjencisë së udhëtimit, pranë një qendre tregtare në autostradën Durrës-Tiranë. Klandestinët u futën në pjesën e pasme të godinës për të konsumuar ushqim dhe pasi fillonte të errësohej, emigrantët transportoheshin me makina të tjera të vogla drejt kufirit me Kosovën me destinacion final vendet e BE.