Një sasi eksplozivi ka shpërthyer në banesën e një gjyqtari në Shkodër.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 3:13 në lagjen “Tom Kola” në qytetin verior.
Lënda plasëse u hodh tek porta e oborrit të banesës së shtetasit Tonin Stërkaj 62 vjeç, (me detyrë Gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër).
Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollin në zonë.
Ndërkohë grupi hetimor po vijon veprimet në vendngjarje për sigurimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Pas kësaj ngjarje ministri i brendshëm ka thërritur mbledhjen e komisionit për mbrojtien e Magjistratëve e cila do të mbahet të hënën. z.Balla ka patur edhe një komunikim telefonik me gjyqtarin Stërkaj duke i garantuar atij mbrojtien fizike 24 orëshe për veten, familjarët dhe pronën. Kamerat e sigurisë kanë filmuar personin e dyshuar dhe Policia e Shkodrës ka shoqëruar disa persona në lidhje me vijimin e hetimeve.
Reagimi KLGJ
Duke marrë shkas nga informacionet e përcjella nga media e shkruar dhe vizive si edhe bazuar në informacionin paraprak të Policisë, ditën e sotme lidhur me ngjarjen e ndodhur në banesën e magjistratit z. Tonin Sterkaj, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, Këshilli i Lartë Gjyqësor përcjell shqetësimin për këto akte që cenojnë rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen të gjithë gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve, pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre, është parakusht për një proces të rregullt ligjor, për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës.