Klgj në mbledhjen e mbajtur vendosi që gjyqtari dhe familja e tij të kenë mbrojtie të posaçme pèr 6 muaj, ndërsa pas sulmit me tritol në banesën e gjyqtarit Tonin Stërkaj ka reaguar Unioni duke dënuar sulmin kriminal. Ndërkohë Ministri Balla si pjesë e komisionit e cilësoi sulmin si akt burracakësh:
Ministri Balla: Më lejoni që pas këtij takimi dhe mbledhjeje të komisionit të posaçëm në KLGJ të dënoj këtë akt prej burracakësh në përpjekje për të intimiduar një magjistrat, një gjyqtar të Gjykatës së Shkallës së Parë të juridiksionit të përgjithshëm Shkodër. Kemi marrë në analizë dhe kërkesën e kryetarit në detyrë të Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për të ofruar mbrojtjen e menjëhershme për mbrojtjen e magjistratit. Këtë gjë e kemi bërë në fakt që dje. Sikurse jeni informuar unë kam marrë personalisht një kontakt me magjistratin, i kam shprehur solidaritetin. Po ashtu DVP Shkodër dhe struktura të tjera të Policisë së Shtetit sepse vendimi ka hyrë në fuqi, do të ofrojnë mbrojtje personale dhe të familjes së magjistratit. Është momenti për të nënvizuar dhe dhënë një mesazh ndaj kujtdo, që ka hartuar apo është bërë pjesë e këtij akti intimidimi ndaj këtij magjistrati, që Policia e Shtetit e di fare mirë detyrën e vetë dhe mezi pres nga momenti në moment, orë pas ore, raportimet e grupit të posaçëm të ngritur në Shkodër ku shpresoj që në orët dhe ditët në vijim të kemi rezultate konkrete, sepse na duhet shumë të japim një mesazh ndaj gjithkujt, që mundohet të intimidojë me forma të ndryshme sistemin gjyqësor në këtë vend, qofshin magjistratë apo prokurorë, i bëj thirrje kujtdo që të heq dorë nga çdo forme intimidimi ndaj sistemit gjyqësor! Po ashtu i bashkangjitem deklaratës së Këshillit të Lartë Gjyqësor, se na duhet më shumë mbështetje ndaj magjistratëve, të cilët duhet ta kryejnë detyrën e tyre të pandikuar. Dhe besoj që duhet të bëjmë më shumë për të garantuar më shumë siguri dhe më shumë mbështetje ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe do të ndihesha shumë mirë para opinionit publik në ditët dhe orët në vijim me rezultate konkrete në zbardhjen e plotë të autorit, po pse jo edhe të porositësit apo porositësve.
Pyetje: Ka ndonjë detaj në këtë drejtim?
Ministri Balla: Do të ishte jo etike nga ana ime pa pasur një panoramë të qartë dhe e vlerësoj shumë punën që po bëhet në Shkodër nga Drejtoria Vendore e Policisë dhe nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër lidhur me këtë rast.
Pyetje: Z. Balla përtej sulmit ndaj magjistratit Tonin Stërkaj në Shkodër ka pasur shumë raste ku janë djegur dhe sulmuar makina të punonjësve të policisë, ngjarje të përsëritura në këtë qytet si në asnjë qytet tjetër, por hetimet mund të themi kanë mbetur po ato duke mos u zbuluar autorët dhe duke çuar para përgjegjësisë
Ministri Balla: Dua të përsërisë atë që thashë para pak, duhet të kuptojmë që reforma në drejtësi po jep rezultate e veta dhe duhet të kuptojmë që gjyqtarë dhe prokuror në detyrën e tyre kanë prishur qetësinë e personave të cilët janë objekt i hetimeve apo i vendimeve dhe kur bëra thirrje për të hequr dorë nga intimidimet ndaj magjistratëve këtë thirrje e kisha ndaj gjithkujt. Intimidimet mund të bëhen me lëndë eksplozive, por mund të bëhen edhe me fjalë edhe me deklarata kështu që në këtë aspekt mendoj këtë nga Pallati i Drejtësisë kam ardhur të shpreh mbështetjen e plotë të Qeverisë Shqiptare ndaj institucioneve të drejtësisë për ta bërë punën dhe po ashtu si Ministër i Brendshëm i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit që të merren të gjitha masat sikurse dhe në rasti në fjalë për të garantuar sigurinë e paprekshme të çdo magjistrati.
Pyetje: Z. Balla ju thatë se jo vetëm porositësi që nënkupton se janë disa autorë që kanë bashkëpunuar për t’i përçuar një mesazh gjyqtarit të Shkodrës Tonin Stërkaj dhe për ta kanosur atë. Cilët janë ata persona, i keni identifikuar ju ata, cili është motivi? Pyetja e parë dhe pyetja e dytë sa është numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë në mbrojtje me afat apo pa afat?
Ministri Balla: E para në përgjigje të pyetjes tuaj, dua t’ju them se kjo nuk është një ngjarje e thjeshtë, pra një akt banal i një personi, i cili nga dyshimet paraprake sikurse është bërë me dije dhe nga Policia e Shtetit kuptoj që duhet të ketë një organizim nga mbrapa kësaj ngjarje. Kështu që gjithmonë në pistat që ngre Policia e Shtetit dhe strukturat e hetimit përfshirë këtu dhe prokurorinë, ngrenë pista mbi bazën e të gjithë dimensioneve të zhvillimit të ngjarjes, përfshirë parapërgatitjen, dhe pse jo mundësinë e zhvillimit të kësaj ngjarjeje me porosi. Në këtë aspekt apeli që unë bëra dhe urdhri i dhënë është të hetohen të gjitha pistat.
Sa i përket pjesës tjetër dhe nuk dua të flas më shumë për këtë, sepse ju thashë kjo ngjarje është një test për DVP Shkodër, në të gjitha kuptimet, por që lidhet drejtë për së drejti me kredibilitetin dhe me besimin në rritje të Policisë së Shtetit.
Edhe në Shkodër nëse doni nëse u referohemi rezultateve të fundit, ku besoj ju e dini sepse e keni raportuar, janë një seri ngjarjesh të ndodhura në Shkodër, të cilat janë në proces zbardhjeje dhe shpresoj shumë që dhe një ngjarje tjetër e rëndë e ndodhur para pak kohësh, të konkludohet me veprimet përfundimtare nga ana e prokurorisë.
Sa i përket pyetjes tuaj të dytë, unë e kam bërë të qartë që ditën e parë kur u bëra ministër i Brendshëm që do të përfaqësoj vetë MB-në në të dy komisionet, qoftë në atë në KLGJ, qoftë në atë në KLP për të dhënë një mesazh të qartë të vullnetit të qeverisë tonë për të mbështetur drejtësinë e re në këtë proces të rëndësishëm të ri-ngritjes dhe kthimit të besimit të qytetarëve tek drejtësia.
Pyetje: U diskutuan edhe ndryshime ligjore, çfarë po bëhen për këtë?
Ministri Balla: Ndoshta ju nuk jeni informuar por më lejoni të ndaj me ju faktin që të gjitha vendimet e Këshillit të Ministrave për përmirësimin e mbrojtjes që u ofrohet magjistratëve, në mënyrë të veçantë atyre të SPAK dhe Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, janë bërë fakt dhe janë tashmë në zbatim.
Pyetje: Z. Balla, ju thatë diçka para pak çastesh sa i takon ‘tritolit’, se puna e prokurorëve e gjyqtarëve do të thotë që mund të përballen edhe me situata të tilla! Për prokurorët apo gjyqtarët që ju dëgjojnë që janë drejt vendimmarrjes për paligjshmërinë, do të thotë që mund të përballen me situata të tilla?
Ministri Balla: Jo, nuk thashë këtë! Të paktën sa jam këtu, më citoni në mënyrë të saktë! Unë dua të garantoj çdo magjistrat të këtij vendi që detyra ime dhe e Policisë së Shtetit është t’u garantojmë atyre siguri të plotë dhe do ta ofrojmë këtë.
Pyetje: Thatë që drejtësia intimidohet jo vetëm me tritol, por edhe me fjalë e deklarata. Ditët e fundit ka pasur deklarata të forta intimiduese nga ish-presidenti i Republikës ndaj drejtuesit të SPAK. Si anëtar i komisionit të posaçëm për mbrojtjen e magjistratëve, si i vlerësoni dhe mendoni se mund të bëhen objekt i punës së komisionit të posaçëm?
Ministri Balla: Shumë vite më parë kur Kuvendi i Shqipërisë kishte ngritur një komision hetimor për të shkarkuar një prokuror të përgjithshëm, ndër shumë prokurorë të përgjithshëm që i kishin dalë kundër ‘pronarit të ballkonit’, në një sallë gjykate, njëri prej të pandehurve për një ngjarje të rëndë kriminale, kur pyetet nga gjyqtarja drejtuese e seancës, nëse kishte diçka për të thënë, riprodhoi në atë sallë gjyqi, të njëjtat fyerje, sharje, që i kishte dëgjuar nga Kuvendi i Shqipërisë. E solla këtë në vëmendjen tuaj për të thënë që edhe retorika e këtij lloji, që ju përmendët, i bën dëm dhe është e papranueshme. Në këtë këndvështrim duhet që secili të vetëpërmbahet dhe respektojë vendimet e drejtësisë.
UNIONI I GJYQTARËVE TË SHQIPËRISË
__________________________________________________________________________________
Tiranë, më 29 prill 2024.
D E K L A R A T Ë
Unioni i Gjyqtareve të Shqipërisë, si grupimi më i madh vullnetar, që ka për qëllim kryesor mbrojtjen e të drejtave të gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë shpreh shqëtësimin e tij në lidhje me ngjarjen kriminale të ndodhur dje, në orët e para të mëngjesit në qytetin e Shkodrës, ku një sasi eksplozivi shpërthu në derën e banesës së kolegut tonë, gjyqtar Z.Tonin Sterkaj.
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë uron që kolegu ynë Tonin Sterkaj dhe familjarët e tij të jenë mirë dhe shpreh mbështetjen e të gjithë anëtarëve gjyqtarë ndaj kolegut Z.Sterkaj.
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë dënon me forcë këtë akt të shëmtuar kriminal, i cili nuk drejtohet vetëm ndaj kolegut gjyqtar Z.Tonin Sterkaj por edhe ndaj të gjithë magjistratëve (gjyqtarë e prokurorë) në Republikën e Shqipërisë, të cilët me përkushtim dhe në kushte të një ngarkese jashtëzakonisht të lartë pune, presioni mediatik e politik, përpiqen çdo ditë të japin drejtësi.
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë thekson se, ky sulm i pabesë e burracak ka për qëllim jo vetëm frikësimin e magjistratëve por edhe cënimin e rendit e të sigurisë publike, si dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në vendin tonë!
Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkon nga organet ligjzbatuese të veprojnë më shpejt se rastet e mëparëshme, për të indetifikuar, kapur e vënë para përgjegjësisë penale çdo autor të mundshëm të këtij veprimi të shëmtuar krimininal, duke dhënë në mënyrë të veçantë mesazhin se, magjistratët në Republikën e Shqipërisë kanë mbështetjen maksimale të Shtetit, për të kryer detyrën e tyre në mënyrë të qetë e pa rrezikuar jetën, shëndetin, pronën e tyre dhe të familjarevë te tyre nga krimi, si një ndër kushtet themelore për forcimin e ligjit, shtetit të së drejtës dhe prospertitetin e vendit.
Së fundmi, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë i përcjell edhe një herë angazhimin e tij maksimal për të bashkëpunuar me organet shtetërore, në mbrojtje të parimeve kushtetuese të ndarjes së pushteteve, pavarësisë së gjykatave, garantimit të të drejtave dhe lirive të gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë si dhe luftën pa kompromis ndaj çdo fenomeni negativ të vërejtur në rradhët e punonjësve të sistemit të drejtësisë!
UNIONI I GJYQTARËVE TË SHQIPËRISË