Pa kaluar 24 orë nga deklarimet e tij në Spak kryebashkiaku Erion Veliaj ka patur një mesazh të drejtë përdrejtë për gjobaxhinjtë e mediave. Ai ka theksuar se kush e sulmon atë dhe bashkinë për të kapur ndonjëy vilë a zarf, gabon.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se sot është më i vendosur dhe më energjik se kurrë për ta çuar Tiranën përpara. Nga Liqeni i Farkës, Veliaj nënvizoi se kush mendon se duke goditur kryetarin për të kapur ndonjë vilë apo zarf, gabon.
“Çdo punë e kemi bërë me sherr: sherri i parë ishte për këndin e lodrave te Liqeni, kur vinte Presidenti i Republikës dhe deputeti me pistoletë, të njëjtët njerëz që shtyhen aty përditë. Ne themi na lini të punojmë. Kur ne shqiptarët punojmë, bëjmë gjëra të mrekullueshme. Kur i themi punës plaç, atëherë ngelemi në klasë. Për të gjithë ata që shtyhen dhe çirren, për të gjithë ata që vjellin vrer non stop nëpër televizione për Bashkinë e Tiranës, nuk e kanë me ju, se e shijojnë lezetin që u është rritur vlera pronës e shtëpisë, e kanë me mua, se duke i rënë kryetarit mendojnë se kapin ndonjë vilë tjetër, se kapin ndonjë një zarf tjetër; duke i rënë kryetarit mendojnë se do dorëzohem e do lodhem dhe do ta ndërpres këtë kontribut. Unë jam më i vendosur e më energjik se kurrë, që këtë kryeqytet ta çojmë përpara dhe siç e shpallëm Kryeqytetin Europian të Rinisë, Kryeqytetin Europian Sporteve, këtë vit drejtojmë qytetet e ballkanit me B40, vitin tjetër do të drejtojmë qytetet e Mesdheut si Kryeqyteti i Kulturës”, tha Veliaj.
Ai shtoi se qyteti i përket njerëzve të punës dhe njerëzve të ndershëm, që bashkëpunojnë e që duan të ecin përpara. “Tirana do shkojë lart e më lart, hijenat do shkojnë poshtë e më poshtë. Puna do vlerësohet gjithmonë e më shumë dhe llapaqenëria do vlerësohet gjithmonë e më pak. Merrni zemër se qyteti i përket njerëzve të punës, njerëzve të ndershëm dhe njerëzve të drejtë, që bashkëpunojnë, që duan të ecin përpara dhe që shikojnë te secili që në të majtë dhe të djathtë kanë një aleat, një shok, një shoqe, një motër, një vëlla, në misionin tonë për ta çuar Tiranën përpara”, tha ai.
Kryebashkiaku komentoi edhe protestën e dhunshme të opozitës. Ai tha se pjesa e zhurmshme dhe e dhunshme janë vetëm një pakicë, ndërsa shumica përfaqëson punën. “Kur mendoj se një pjesë e vogël ende beson te vandalizimi, te sherri, te molotovi, te shtyrja e policëve, harrojnë se bashkia nuk është ajo godina ku kam zyrën unë. Bashkia janë njerëzit, bashkia janë punëtorët, bashkia janë projekte, bashkia është ky komunitet që i ka dhënë dashuri, cilësi dhe një kontribut të jashtëzakonshëm. Këta janë bashkia, nuk është një ndërtesë. Futu në ndërtesë, por çfarë do bësh? Imagjinoni të futet Mul Noka në ndërtesë, çfarë do bëjë? S’ka drejtuar ndonjëherë shtet, s’ka bërë ndonjëherë prokopi. Imagjino të futet goca e Saliut dhe çuni i Fariut… futuni, është një ndërtesë, por nuk është ndërtesa institucioni. Institucioni, bashkia e qytetit, janë njerëzit e mrekullueshëm që punojnë përditë e përditë”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë u shpreh se godina e Bashkisë së Tiranës, e cila goditet me molotov, është monument kulture, ndërsa ish godina e teatrit jo. “Thonë se duan monumentet e kulturës dhe shkatërrojnë bashkinë, që është në fakt monument kulture. Nuk është bashkia ime, ishte bashkia e Tomor Malasit, që dje i dhamë një emër rruge; është edhe bashkia e Sali Kelmendit, e Albert Brojkës, patjetër edhe bashkia e Edi Ramës, e Lul Bashës, pra e të majtëve dhe e të djathtëve. I kërkojnë protestat për dhunë në emër të një institucioni për teatrin që nuk ishte monument kulture, që ishte një kashtore qerpiçi, që as në Farkë sot nuk kanë ngelur më shtëpi me qerpiç, pasi mbaruam të gjithë shtëpitë e tërmetit. Në këtë sens, është shumë e rëndësishme ta duam qytetin siç e do çdo punëtor i thjeshtë, ta inkurajojmë qytetin siç e bën çdo biznes që s’ka pikë interesi. Nuk e bën këtë për të shtuar përfitimin, por për të hequr një pjesë të fitimit e për t’ia dhënë qytetit një kontribut e për të thënë që lamë një shenjë”, theksoi Veliaj.