Personi në të majtë të fotos është Asllan Mërnica, autori i dyshuar i vrasjes së policit Novruz Cenalia 28 vjeç (djathtas në foto) në Fier.
Burimet policore bëjnë me dije se vrasja dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti të çastit. Viktima dhe autori debatuan se kush ka të drejtën e kalimit me makinë në rrugën e ngushtë të fshatit.
Të dy dolën nga makinat dhe në debat e sipër sherri agravoi kur 23-vjeçari Asllan Mërnica vrau me një plumb në kokë efektivin e “Shqiponjave” Novruz Cenalia, duke e qëlluar me pistoletë.
Pas vrasjes, autori u largua me shpejtësi me makinë. Mjetin e braktisi më pas në shtëpinë e dajës dhe u arratis në këmbë nëpër ara. Policia po kreh zonën duke ngritur edhe dronin për të vëzhguar nga ajri perimetrin.
Theksojmë se autori i dyshuar Asllan Mërnica është vëllai i Kiri Mërnicës, ky i fundit ndodhet në burg i dënuar për vrasjen e Florian Selimit në Fier në vitin 2019.
Viktima Novruz Cenalia po shkonte në punë kur ndodhi ngjarja, për të marrë turnin si efektiv i “Shqiponjave”.
Kujtojmë se babai i viktimës është gjithashtu punonjës policie, konkretisht nënoficer roje në sallën e Drejtorisë Vendore të Policisë së Fierit. Babai i viktimës është përfshirë në një vrasje në Has disa vite më parë, por në atë kohë u shpall i pafajshëm nga gjykata pasi krimi u cilësua për vetëmbrojtje.
Pas krimit në atë kohë, familja Cenalia u shpërngul nga Hasi dhe u vendos në Fier. Edhe autori i dyshuar i ngjarjes është nga Hasi.
Policia e Fierit ka vendosur në dispozicion 30 mijë Euro shpërblim për këdo që jep informacione se ku fshihet autori i vrasjes së efektivit.