Në seancën e kësaj të mërkurë për çështjen “Gërdeci”, u debatua për akt-ekspertimin ekonomiko-financiar.
Mbrojtja e ish-ministrit Fatmir Mediu u shpreh se ekspertët janë caktuar në mënyrë të njëanshme nga Prokuroria e Posa çme Antikorrupsion dhe se ekspertët jane në kushte papajtueshmërie për të kryer aktin e ekspertimit.
Ekspertët janë nga KLSH, Ministria e Drejtësise dhe nga Ministria e Fincancave. Sipas avokatit Ligori, pyetjet drejtuar ekspertëve janë tërësisht juridike. Pjesa më e madhe e pyetjeve kanë natyrë juridike, jo teknike.
“Ështe absurde të japin ekspertët përgjigje juridike. Kompetente është prokuroria dhe gjykata në këtë fushë, jo ekspertët. Kërkojmë kryerjen e një riekspertimi kontabël me 3 ekspertë të fushës. Asnjë nga ekspertët nuk kishte licencë”, tha Ligori.
Në seancën e sotme foli edhe ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu i cili tha se për 16 vite me radhë e akuzuan se e përzgjodhi ai Gërdecin, ndërkohë në këtë gjyq, u faktua se nje gjë e tillë ishte e pavërtetë.
“Kjo është e qëllimshme për të mbajtur gjallë një proces politik. Pa asnjë hezitim mora përgjegjësinë morale, nuk u fsheha, nuk u largova dhe hoqa dorë nga mandati. Kërkoj që ky gjyq të bëhet live me kamera, që ta shikojnë të gjithë shqiptarët”, deklaroi Mediu.
Në seancë pati edhe debate mes Mediut dhe familjes Durda.
Pjesë nga debati:
Durda: Mos na ofendo, nuk ke turp.
Visha: Nxirreni jashtë.
Mediu: Kam të drejtën të marr fjalën.
Durda: E ka fajin prokuroria që nuk të ngre akuzën e vrasjes.
Visha: Nuk mund të dëgjojme tallava dhe ofendime në mënyrë barbare.
Durda: Turp të të vijë.
Visha: S’më vjen turp nga ju. Jashtë nga salla. Sus të dy.
Feruzani: Mos më thuaj Sus mua.