Momente tmerri kanë përjetuar dy fëmijë të mitur pasi babai i tyre i mbajti mbyllur në banesë dhe qëllonte me breshëri kallashnikovi. Ngjarja është shënuar në një banesë të marrë me qira javore në Shkëmbin e Kavajës.
40-vjeçari A.M. qëllonte vazhdimisht me kallashnikov brenda banesës, teksa mbante peng dy fëmijët e tij 6 dhe 11 vjeç.
Policia e Durrësit kërkoi ndihmën e Repartit Special “RENEA”, pasi duhej ndërhyrje e specializuar për të mos rrezikuar jetën e fëmijëve në banesë dhe të punonjësve të Policisë.
Në vendngjarje shkoi Reparti Special “RENEA”, i cili i bëri thirrje 40-vjeçarit që të dorëzohej, por ai vijoi të qëllonte nga dritarja e apartamentit.
Pas disa orësh negociata, nga Njësia e Negocimit e Repartit “RENEA”, dhe me ndërhyrjen e specializuar të njësive të RENEA-s, në bashkëveprim me strukturat e Policisë Durrës, nën masa të larta sigurie, u bë i mundur neutralizimi dhe kapja e shtetasit A. M., të cilit në banesë iu gjet një armë zjarri kallashnikov, një krehër me fishekë, si dhe 18 gëzhoja në brendësi të banesës.
Gjithashtu, Policia nxorri të 2 fëmijët, të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe po iu jepet asistencë me psikologë.
WebLajm ka mësuar se në deklarimet paraprake, 40-vjeçari është shprehur se i ka marrë fëmijët për t’i mbrojtur.
Dyshohet që ai të ketë qenë nën efektin e drogës dhe në gjendje të rënduar psikologjike.
Sipas burimeve, bashkëshortja e tij kthehej ditën e djeshme nga jashtë vendit ndërsa prej pak ditësh ai ishte zhvendosur në zonën e Shkëmbit të Kavajës me 2 fëmijët e mitur.
40-vjecari nuk rezulton të ketë precedent të mëparshëm penale, por në të kaluarën gruaja e tij ka qenë e pajisur me urdhër-mbrojtje.