Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka reaguar pas dhunimit të avokatit Sokol Mëngjesi, duke dënuar ashpër ngjarjen e rëndë.
Përmes një reagimi publik, Dhoma e Avokatisë kërkon nga autoritetet ligjzbatuese që të hetojnë rastin dhe autorët të nxirren para drejtësisë, si dhe të zbardhen shkaqet.
Kujtojmë se avokati i Sali Berishës, u dhunua mëngjesin e sotëm në zonën e ish-bllokut në Tiranë nga persona të paidentifikuar, të cilët e goditën me leva. Avokati Mëngjesi u dërgua në Spitalin e Traumës dhe ndodhet në gjendje të stabilizuar.
REAGIMI I DHOMËS SË AVOKATISË SË SHQIPËRISË
Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë shpreh shqetësimin e thellë lidhur me dhunën e rëndë fizike të ushtruar, mëngjesin e ditës së sotme, ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, anëtar i Dhomës së Avokatisë së Tiranës. Avokati është goditur disa herë në kokë me levë dhe për shkak të plagëve të marra është shtruar në spital.
Ky nuk është rast i izoluar i ushtrimit të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj avokatëve në Shqipëri, duke rikujtuar aktin e fundit të paprecedent të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj një avokati në Dhomën e Avokatisë Lezhë, në muajin Prill të këtij viti. Kërcënimi i avokatëve, sidomos për shkaqe që lidhen me ushtrimin e detyrës jo vetëm cënojnë rëndë misionin e avokatit në ushtrim të profesionit të tij, por krijojnë situata të vështira që duhen të vlerësohen maksimalisht.
Bazuar sa më sipër, Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë i kërkon autoriteteve zyrtare të kryejnë një hetim të plotë dhe të pavarur brenda një kohe sa më të shkurtër lidhur me këtë ngjarje të rëndë.
Njëkohësisht garantojmë të gjithë avokatët në Republikën e Shqipërisë se Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë do të jetë në krah të cdo avokati ndaj të cilit ushtrohet dhunë e çfarëdo lloji nga kushdo qoftë, pavarësisht se nga kush dirigjohet dhuna.
Shprehemi besimplotë se reagimi ynë do të shërbejë si këmbanë alarmi për organet ligjzbatuese jo vetëm për këtë rast por edhe për raste të tjera që cënojnë sigurinë e jetës së avokatëve dhe të familjeve të tyre.