Lulzim Basha sdo të ketë më vulën e Partisë Demokratike. Është ky vendimi gjykatës së apelit tiranë e cila pas dy vitesh beteja juridike dhe gjyqësore ka zgjidhur ngërçin mes demokratëve.
Zyrtarisht nga sot çdo institucion publik përfshi edhe komisionin shtetëror të zgjedhjeve do duhet të njohë kryetar z.Berisha dhe si parti demokratike grupimin e rithemelimit.
Beteja për vulën e Partisë Demokratike mes demokratëve të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës vijoi prej dy vitesh. Beteja mes dy grupeve të demokratëve përgjatë këtyre dy viteve e gjysmë përçarje nuk ka qenë vetëm ligjore. 8 janari i 2022 kulmoi në përplasje fizike mes Rithemelimit e PD zyrtare, ku vetëm ndërhyrja e policisë shmangu pasojat fatale.
Në seancën e 27 dhjetorit të vitit të shkuar Gjykata e Lartë i kërkoi Apelit të vendosë përfundimisht për këtë çështje. Në argumentet e saj, Gjykata e Lartë u shpreh se Apeli nuk kishte kryer një hetim të plotë të çështjes, nuk kishte kuptuar natyrën e mosmarrëveshjes dhe kishte interpretuar gabim normat dhe ligjin procedural.
Trupa e përbërë nga treshja gjyqtare me relatore Alma Ahmeti, ndërsa dy anëtarët janë Iliba Bezati dhe Elona Toro njohu vendimin e Agron Zhukrit, që kishte vendosur që vula t’i jepej Berishës. Ky i fundit ndodhet në ‘arrest shtëpie’, që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar.
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM
NJOFTIM PER MEDIA
Në vijim të informacioneve të dhëna më herët dhe në respekt të së drejtës së publikut për t’u informuar mbi çështjet me interes publik dhe posaçërisht proceset mbi kërkesat për regjistrim në regjistrin e partive politike për subjektin Partia Demokratike e Shqipërisë, ju njoftojmë si më poshtë:
Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit, ka ushtruar rekurs ndaj vendimin nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelilt të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe ka kërkuar:
-Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelilt të Juridiksionit të Përgjithshëm.
-Deklarimin si të papranueshëm të ankimit paraqitur nga Deputeti Enkelejd Alibeaj ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
-Lënien në fuqi të vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë me vendimin nr. 786, datë 27.12.2023 ka vendosur:
- Prishjen e vendimit nr. 44, datë 03.03.2023 të Gjykatës së Apelilt të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim pranë asaj gjykate, me tjetër trup gjykues.
Në datë 11.06.2024 gjatë rigjykimit të çështjes në gjykatën e apelit, përfaqësuesi me autorizim av.Ivi Kaso i Partisë Demokratike të Shqipërisë, “Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit” kërkoi:
– “Mospranimin e ankimit të ushtruar ndaj vendimit nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Përfaqësuesit ligjor av. Indrit Sefa dhe av. Rezart Kthupi, të Partisë Demokratike të Shqipërisë e përfaqësuar nga z. Enkelejd Alibeaj, kërkoi:
“Prishjen e Vendimit me nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke vendosur: Pushimin e gjykimit, pasi nuk legjitimohen”.
Në përfundim të gjykimit, sot më datë 11.06.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Alma Ahmeti dhe anëtare znj. Elona Toro dhe znj. Iliba Bezati, vendosi:
-Mospranimin e ankimit të ushtruar kundër vendimit Nr.3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
-Kundër këtij vendimit mund të bëhet rekurs i veçantë në Gjykatën e Lartë brenda 5 ditëve duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit.
-Vendimi i arsyetuar do t’i komunikohet palëve.
Tiranë, më 11.06.2024
GJYKATA E APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM