Prokuroria e Posaçme dhe autoritetet franceze shkatërruan një grup të trafikut të heroinës dhe kokainës në Francë që drejtohej nga një shtetas shqiptar.
19 persona, shqiptarë e të huaj, janë arrestuar në kuadër të këtij hetimi. 16 prej të cilëve u kapën në Francë, ndërsa 3 të tjerë u arrestuan në Shqipëri. Ata janë Redian Doda, Zabit Fisniku dhe F.I.
Doda konsiderohet si kreu i grupit kriminal. Kurse Zabit Fisniku 47 vjeç ka qenë i arrestuar që në muajit Shkurt. Ai u kap në aeroportin e Rinasit pasi ka qenë i dënuar me 16 vite burg në vitin 2005 nga Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda për trafikim të femrave për prostitucion.
Në kuadër të hetimit për trafikun e drogës, SPAK ka sekuestruar një llogari bankare me vlerë 20 mijë Euro në pronësi të Redian Dodës dhe J.H.
Po kështu janë sekuestruar 15 automjete, 34.270 euro cash, 1000 franga zviceriane, 180.000 lekë të reja, 9 aparate celularë, 3 tableta, 1 kamerë, dokumente dhe karta SIM.
Vlera e lëndëve narkotike të sekuestruara tejkalon vlerën prej 1 milion euro. Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.
Ky hetim u ndoq nga Prokurori Adnan Xholi dhe departamenti i Policisë Kriminale në Shqipëri.