Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për vrasjen e 18- vjeçarit Aurelio Dervishi, ngjarje e shënuar në 31 Mars të këtij viti.
Sipas hetimeve te kryera nga prokuroria rreth orës 20:45 shtetasit Frensi Shehi, Shahir Hafuzi, Irhad Islamaj kanë qenë me automjet pranë maternitetit “Koço Glozheni”. Në të njëjtin vend me një automjet tip Audi kanë qenë 18-vjeçari Aurelio Dervishi, Renis Fusha, Iljan Ismaili si dhe dy vajza me iniciale A.S dhe E.A.
Kjo e fundit kishte lidhje intime me Frensi Shehin, i cili në momentin që e ka parë atë me disa djem i ka lindur ideja për të nisur një konflikt, duke ftuar dhe shokët e tij.
Referuar hetimit, në momentin që dy automjetet kanë qenë paralel në semafor, Frensi Shehi ka zbritur nga automjeti dhe ka nisur të ofendojë e më pas të përplaset fizikisht me viktimën dhe shokët e tij.
21-vjeçari ka shtyrë shokun e tij Shahir Hafuzi të nxirrte thikën e të godiste viktimën, veprim të cilin e ka kryer. Ndërsa Bjorni Shehi dhe Irhad Islamaj kanë goditur fizikisht me grushte dhe sende të forta me qëllim që Aurelio Dervishi të ndërronte jetë.
Përveç tij, ata kanë goditur edhe shokët e viktimës. Në vendin e ngjarjes, grupi hetimor ka konstatuar njolla gjaku, si dhe automjetin me targa AB835IP.
Sipas aktit të ekspertimit ligjor, në trupin e viktimës është konstatuar shembje e indeve të buta të kokës dhe kraharorit, një plagë prerëse-shpuese, ndërsa nga kqyrja e brendshme u konstatua çarje e dërrasës së kraharorit, çarje e cipës mbështjellëse të zemrës, çarje e murit të ventruklit të majtë të zemrës shoqëruar me grumbullim gjaku, në cipën mbështjellëse të zemrës si dhe në kavitetin e kraharorit.
Ekspertiza nxori që shkaku i vdekjes së Dervishit ishte shoku hemoragjik traumatik si pasojë e plagës në kraharor.
Policia gjyqësore pas ngjarjes, sekuestroi telefonat e dy vajzave qe ndodheshin në makinë me viktimën.
Nga kqyrja e telefonit te shtetases E.A rezultoi se kishte disa komunikime me Frensi Shehin pak përpara se të ndodhte ngjarja.