Ndërmarrja refuzon inspektimin, Autoriteti i Konkurrencës e gjobit me 480 euro
Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur kompaninë Arlis Administrim në shumën e 48 mijë lekëve, për refuzim të refuzimin e pranimit të inspektimit të këtij institucioni.
Komisioni i Konkurrencës në muajin maj të këtij viti mori vendimin për hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e ofrimit dhe aksesit të shërbimit të internetit ndaj ndërmarrjeve të administrimit dhe ndërmarrjeve të internetit në rezidencat e banimit që këto ndërmarrje ushtrojnë veprimtarinë, për periudhën kohore nga 1 janar 2020 deri në 10 maj 2024.
Gjatë procedurave hetimore është konstatuar se sjellja e ndërmarrjes Arlis Administrim, mund të përbëjë abuzim me pozitën dominuese, duke refuzuar aksesin ndërmarrjeve të tjera që ofrojnë shërbimin e internetit në rezidencat e banimit ku kjo ndërmarrje operon.
Por, gjatë inspektimit në ndërmarrjen Arlis Administrim, inspektorët e Sekretariatit autorizuar me shkrim nga Komisioni për kryerjen e inspektimeve, u refuzuan për dhënien e çdo lloj informacioni që lidhej me objektin dhe qëllimin e inspektimit.
Sipas ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, Komisioni i Konkurrencës vendos gjoba, në masën jo më shumë se 1% të xhiros totale të vitit paraardhës financiar, mbi ndërmarrjet ose grupimet e ndërmarrjeve nëse ato refuzojnë të pranojnë inspektimet në mbështetje të vendimit të marrë, ose refuzojnë t’u përgjigjen pyetjeve për faktet dhe japin përgjigje të pasakta, të paplota, të rreme ose pengojnë inspektimin. Mbi këtë bazë, Komisioni i Konkurrencës vendosi gjobitjen e ndërmarrjes Arlis Administrim SHPK për shkelje të lehtë të konkurrencës, në masën 48,392 lekë.
Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se në rezidencat e banimit në Tiranë, ndërmarrjet e administrimit menaxhojnë infrastrukturën e shërbimit të internetit. Për më tepër, këto ndërmarrje bëjnë lidhjet me kompanitë e ofrimit të shërbimit të internetit dhe banorëve të cilët duan të përfitojnë këtë shërbim. Në të tilla kushte, ndërmarrjet e administrimit kanë ndikim në tregun e ofrimit të shërbimit të internetit në rezidencat ku ata operojnë.
Nga informacioni i administruar nga ndërmarrjet që ofrojnë shërbimin e internetit, është evidentuar se ekzistojnë problematika për kufizimin e aksesit nga ndërmarrje të tjera të administrimit në rezidencat e banimit në qarkun e Tiranës.
Nga hetimi paraprak, janë evidentuar raste tipike të abuzimit me pozitën dominuese përkatëse nga disa shoqëri administrimi. Abuzimet përfshijnë mosdhënien e aksesit në mjediset e përbashkëta për operatorët e interesuar, apo aplikimi i kushteve dhe tarifave të ndryshme, për operatorë të ndryshëm. Disa kompani të ofrimit të shërbimit të internetit në procedurën hetimore janë shprehur se nuk lejohen të vendosin infrastrukturën e tyre dhe të ofrojnë shërbim në disa rezidenca banimi.
Duke u nisur edhe nga fakti se disa nga ndërmarrjet e administrimit kanë aksionarë të përbashkët me kompanitë e shërbimit të internetit e internetit, ushtrojnë veprimtarinë në të njëjtën rezidencë banimi, duke sjellë kështu një integrim vertikal, për Autoritetin e Konkurrencës ngrihen dyshime që në tregun e ofrimit dhe aksesit të shërbimit të internetit mund të këtë shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”.
Monopolet e ofrimit të shërbimit të internetit me linja fikse nuk janë të rralla në godinat e banimit në Tiranë. Shpeshherë, vetë firmat ndërtuese ose kompanitë e administrimit japin të drejtën e vendosjes së infrastrukturës së lidhjes për një ofrues të vetëm shërbimi, duke penguar kompanitë e tjera.
Shënim nga WebLajm: Autoriteti i Konkurencës sqaron se kjo gjobë është e Inspektorit i cili është penguar për 24 orë të kryej kontroll, ndërsa hetimi për detyrimin e banorëve të marrin shërbim vetëm nga një linjë Interneti duke penguar kompanitë e tjera, Vijon.