Prokuroria e Romës ka çuar për gjykim, pra duke bërë aktin formal që hap çështjen gjyqësore për ish-drejtuesit e Juventusit, pasi organi torinez i akuzës ka zhvilluar muaj të tërë hetimesh.
Tanimë me procesin penal do të përballen persona të rëndësishëm të klubit, duke nisur nga ish-presidenti i Juventusit Andrea Agnelli, ish- zëvendësi i tij Pavel Nedved, Fabio Paratici dhe Maurizio Arrivabene. Të gjithë përballen me akuza të ndryshme, të formuluara pas hetimit dhe më kryesoret janë falsifikim i operacioneve financiare, falsifikim i bilanceve dhe faturime fiktive.
Në veçanti në shënjestër të akuzës janë krijimi i plusvalencave fiktive, dhe manovrat në lidhje me pagat e lojtarëve gjatë pandemisë së Covid, ku drejtuesit e Juventusit kanë kryer operacione fiktive duke krijuar të ardhura të paqena, në mënyrë që të paraqisnin bilance të trukuara të klubit në organet kompetente financiare.
Është ende në fazë hetimi ndërkohë dosja në lidhje me bilancet e Juventusit për qershorin e 2022 pra të një viti më pas. Kalimi i çështjes në Romë ishte vendosur nga Gjykata Italiane e Kasacionit, që kishte deklaruar moskompetencën territoriale të Torinos, duke urdhëruar kalimin e akteve gjyqësore në Romë dhe dosja ju kaloi prokurorëve që merren me krimin ekonomik./Supersport