Është shtyrë për të 12 herë seanca paraprake për mjekun Edvin Prifti. Seanca e radhës u caktua në datë 26 korrik në orën 13.00, ku GJKKO duhet të vendosë mbi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për kalimin ose jo të dosjes për gjykim.
Këtë të enjte, shkak për shtyrjen e seancës u bënë parashtrimet nga ana e Prokurorisë së Posaçme.
Gjykata shtyu seancën në mënyrë që prokurori Sotir Kllapi të saktësonte disa elementë në parashtrimet e tij të paraqitura përpara trupës së gjykimit.
Në 13 shkurt të këtij viti, SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim në GJKKO dosjen për Edvin Priftin, ndaj të cilit ngriti katër akuza, “Korrupsion pasiv” në 7 raste, “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar derytën”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Pastrim parash”.
Në harkun kohor të 5 muajve, seanca paraprake ndaj mjekut është shtyrë 12 herë në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion, ndërsa pritet që në datë 26 korrik të ketë nje vendimarrje sa i përket kësaj çështje.