Ndërprerjet globale të shërbimeve në shumë sektorë si rrjedhojë e problemeve të komunikimit me teknologjinë e informacionit kanë prekur dhe Shqipërinë.
Wizz Air, operatori më i madh ajror në vend, me rreth 60% të tregut sipas numrit të fluturimeve ka paralajmëruar për vonesa.
Në një njoftim zyrtar kompania thotë se “Si të gjitha linjat ajrore sot, edhe Wizz Air po përballet me sfida të jashtëzakonshme teknike për shkak të ndërprerjes së sistemeve globale të IT-së të palëve të treta.
Klientët e Wizz Air mund të përballen me mosfunksionim të të gjithë rrjetit si me faqen e internetit, ashtu edhe me shërbimet e aplikacionit celular që janë përkohësisht të padisponueshme.
Shërbimet e mëposhtme online aktualisht nuk janë të disponueshme:
• Faqja e internetit së Wizz Air dhe aplikacioni celular;
• Sistemi i rezervimit;
• Sistemi i regjistrimit online dhe shfaqja e kartës së imbarkimit;
• Qendrat e Kontaktit – rezervime të reja dhe ndryshime në ato ekzistuese;
Gjatë kësaj ndërprerje, check-in falas në aeroport është i disponueshëm. Prandaj, këshillojmë pasagjerët të arrijnë në aeroport të paktën 3 orë para kohës së planifikuar të nisjes për të pasur kohë të mjaftueshme për check in, kontrollin e sigurisë dhe procedurat specifike të shëndetit dhe sigurisë në aeroport”, thuhet në njoftim..
Bizneset në mbarë botën, nga linjat ajrore te shërbimet financiare dhe grupet e mediave, u goditën nga një ndërprerje globale e shërbimeve të teknologjisë së informacioni (IT) të premten, duke shkaktuar ndërprerje në një gamë të gjerë shërbimesh.
Ndërprerja është shkaktuar nga një përditësim i softuerit të sigurisë CrowdStrike, duke shkaktuar një problem me softuerin Windows.
Microsoft tha më herët të Premten se disa nga klientët e saj të informatikës ‘cloud Azure’ “mund të kenë probleme me shërbime të shumta Azure në rajonin qendror të SHBA” dhe se po hetonte çështjet.
Në një përditësim të statusit të premten në mëngjes kompania tha se kishte “përcaktuar shkakun themelor” – i cili nuk dukej të ishte një sulm kibernetik, por një problem teknik – dhe se “shumica e shërbimeve tani janë rikuperuar”./Monitor