Një mësues amerikan, banues në Tiranë, është arrestuar nga policia shqiptare nën akuzën e “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. 32-vjeçarit Ashique Wahid, gjatë kontrollit fizik iu gjet një qese me kanabis dhe kjo ka bërë që policia të kryejë një kontroll edhe në banesën e tij.
Në ambientet e banesës, atij i janë gjetur dy qese me kërpudha të thata ngjyrë kafe të errët e gri, të cilat rezultuan të jenë lëndë narkotike psilocybin. Gjithashtu policia sekuestroi edhe qese me kërpudha të njoma, po lëndë narkotike psilocybin, si edhe një peshore elektronike.
Weblajm mëson se 32-vjeçari kishte dy vite në Shqipëri dhe punonte si mësues i gjuhës angleze në qendrën me iniciale “T.T.C”, e ndodhur në rrugën Him Kolli”, Tiranë.
Rrëfimi
Ai ka pohuar se në fakt është vetë përdorues narkotikësh prej 10 vitesh dhe se qesen me kanabis e kishte blerë në zonën e sheshit Uilson tek një i panjohur. Lidhur me kërpudhat e gjetura në banesën e tij, i arrestuari ka shprehur se ato i ka kultivuar vetë dhe se i përdorte për gatim.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, operacioni policor i koduar “Shrooms”.
Sekuestrohen sasi lënde të dyshuara narkotike kanabis dhe psilocybin (kërpudha magjike). Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, të mbështetura nga inteligjenca operative, kanë organizuar në drejtimin e Prokurorisë, operacionin policor të koduar “Shrooms”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi amerikan A. U., 32 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në parkun e liqenit artificial të Tiranës, shtetasin e lartpërmendur, të cilit gjatë kontrollit fizik dhe të banesës, i gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe psilocybin (kërpudha magjike).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.