Një muaj pas ndeshjes së fundit të Shqipërisë, UEFA ka mbyllur hetimet për Kombëtaren, duke dënuar Federatën me gjobë dhe një paralajmërim.
Organi më i lartë i futbollit europian bën me dije se hetimi ka nisur për shkak të thirrjeve raciste/diskriminuese të tifozëve shqiptarë në ndeshjet Kroaci-Shqipëri dhe Shqipëri-Spanjë.
“Komisioni i Etikës dhe Disiplinës vendosi të gjobitë FSHF 30 mijë euro dhe të ndalojë Federatën nga shitja e biletave për ndeshjen e saj të radhës në kompeticionet e UEFA-s si udhëtuese, për sjellje raciste dhe diskriminuese të mbështetësve të saj.
Dënimi në fjalë për shitjen e biletave do të jetë i pezulluar në një periudhë prove prej dy vitesh”, shkruan UEFA në komunikatën e saj.
Kjo nënkupton se FSHF duhet të paguajë gjobën, ndërsa dënimi i pezullimit të shitjes së biletave ndaj tifozëve shqiptare në një ndeshje jashtë fushe, do të hyjë në fuqi vetëm nëse në dy vitet e ardhshme do të evidentohen incidente të ngjashme.