Biznesmeni Armandi Nelaj ndërroi jetë në 24 qershor pas një shpërthimi që tronditi Portin e Sarandës. Në nisje u dyshua se ishte një polumbar të cilit i kishte shpërthyer bombola e oksigjenit, teksa më pas hetimet e policisë u përqendruan drejt pistës së një atentati ndaj biznesmenit 52-vjeçar.
Një muaj më pas, Policia e Sarandës ka zbardhur ngjarjen e rëndë, ku mësohet se Nelaj ka humbur jetën pas shpërthimit të tritolit, ku në fakt ndaj tij nuk ishte planifikuar atentat. Nelaj, bashkë me mikun e tij, Eridion Muho kishin planifikuar që t’i vendosnin tritol një anije turistike, ‘Finikas Lines’, për motive konkurrence.
Të dy mbrëmjen e 24 qershorit morën lëndën eksplozive, hipën në një varkë të vogël dhe u nisën drejt anijes ‘Finikas Lines’, por plani nuk u ka shkuar siç duhet, dhe tritoli ka shpërthyer gjatë tentativës për ta transportuar e vënë në anije, duke i marrë jetën fatkeqësisht biznesmenit Nelaj.
Në pranga ka rënë shoku i tij Eridion Muho, 35 vjeç, i cili po ashtu rezulton pronar i një anije ‘Saranda Express’, që operon në të njëjtën linjë Sarandë-Korfuz. Gjithashtu Muho në zgjedhjet parlamentare të 2021 ka kandiduar si deputet në Sarandë me partinë ‘Lëvizja për Ndryshim’ e Jozefina Topallit.
“Si rezultat i hetimeve, është ndaluar shtetasi Eridion Muho, 35 vjeç, banues në Sarandë. Ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin Armandi Nelaj kishin planifikuar vënien e një sasie eksplozivi te njëra nga anijet që operon në linjën Sarandë-Korfuz, për motive konkurrence. Kjo sasi lënde plasëse ka shpërthyer aksidentalisht, gjatë tentativës për ta transportuar dhe vënë në anije, dhe si pasojë ka humbur jetën shtetasi Armandi Nelaj”– ka njoftuar policia.
Rezultatet e analizave në Laboratorin e Policisë Shkencore konfirmuan pak kohë më parë se shpërthimi që i mori jetën biznesmenit Armandi Nelaj në Sarandë ishte i shkaktuar nga lëndë shpërthyese, tritol. Në hetimet e mëvonshme të policisë u hetua një konflikt i vazhdueshëm që Muho dhe Nelaj kanë pasur me një tjetër konkurrent që bën linjën detare Sarandë-Korfuz, Finikas Lines, e cila është në pronësi të Andrea Qirjakos. Hetuesit dyshojnë se lëndën plasëse do ia vinin kësaj anije, por ka plasur rrugës duke shkuar për atje.
Comments 1